12.5 C
Tirana
07 / 01 / 2026

Komuna e Deçanit nderon atdhetarin e shquar, Avdyl Iberhysaj

Pas një sëmundje të rëndë, është ndarë para kohe nga jeta veprimtari dhe atdhetari i shquar nga Deçani i Kosovës, Avdyl Iberhysaj.

Avdyli dhe familja e tij i’a kushtoi jetën çështjes kombëtare, posaçërisht rezistencës paqësore si edhe luftës për çlirimin e Kosovës nga regjimi barbar serb. Ai dhe gjithë familja e tij kanë qenë vazhdimisht të përkushtuar me të gjitha mënyrat e mjetet në kuadër të lëvizjeve për pavarësimin dhe çlirimin e Kosovës nga represioni serb.

Ndjenjat patriotike dhe atdhetare të zotit Avdyl Iberhysaj u shprehën edhe jashtë Kosovës, në Shqipëri, gjatë vizitës së tij me një delegacion artistik në fund të viteve ’80. Ata që e kujtojnë sot atë vizitë që e lidhi Avdylin më shumë me shtetin amë, tregojnë për një njeri të kulturës e librave, të përkushtuar, patriot e me vizion të qartë çështjen kombëtare. Shoku i ngushtë dhe miku i tij, gazetari i njohur Martin Leka, në një dedikim emocionues pas lajmit për ndarjen nga jeta të zotit Iberhysaj shprehet: “Gjatë atyre ditëve të qëndrimit në Shqipëri, krijova përshtypjen se ai ishte një patriot që e donte atdheun, një njeri punëtor e i ditur, një njeri i angazhuar dhe një familjar shembullor”.

Lajmin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të shquar e ka shpërndarë edhe Kryetari i Komunës së Deçanit, zoti Bashkim Ramosaj:

Kryetari Komunës Deçan, Bashkim Ramosaj

Me pikëllim të thellë pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të bashkëpunëtorit tonë shumëvjeçar, Avdyl Iberhysaj nga Deçani.

Baca Avdyl ka qenë veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare dhe kontribues i madh në qytetin e Deçanit. Për shumë vite ka punuar si zyrtar pranë Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër.

Më lejoni të shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Iberhysaj, miqve dhe gjithë atyre që e njohën!

U prehsh në paqe Avdyl”!, shkruan Ramosaj në faqen e tij zyrtare.

Për të nderuar kujtimin dhe veprën e atdhetarit të shquar, në ambientet e Komunës së Deçanit, është mbajtur një mbledhje solemne, ku i pranishëm ishte edhe Kryetari i Komunës, zoti Bashkim Ramosaj.

Në fjalën e tij, zoti Ramosaj evidentoi punën dhe kontributin e zotit Iberhysaj. Ndër të tjera, ai tha se “Baca Dylë do të mbetet në kujtesën tonë si burrë me dinjitet të lartë, veprimtar, punëtor, familjar i mirë, e mbi të gjitha do e kujtojmë për pozitivitetin që ka përcjell gjithë jetën.

Jeta dhe vepra e bacës Dylë do të mbetet e paharruar!”

Në fund të fjalës së tij, Kryetari i Komunës së Deçanit lexoi dhe i dorëzoi familjes Iberhysaj mesazhin e Gjeneral Ramush Haradinaj në të cilin ai shpreh ngushëllimet për humbjen e parakohëshme të Avdylit, veprimtarit, patriotit dhe njeriut të dinjitetshëm.

Në emër të familjes, vajza e madhe Fitore Iberhysaj, ka falenderuar të pranishmit e shumtë në ceremoni për mesazhet ngushëlluese dhe fjalët prekëse që kanë shprehur për babain e saj, Avdylin.

Fitore Iberhysaj

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x