19.5 C
Tirana
19 / 05 / 2024

KE, thirrje autoriteteve të shteteve anëtare për masa më të rrepta sigurie për rusët

Komisioni i Bashkimit Evropian u ka bërë thirrje autoriteteve kufitare të shteteve anëtare që të vendosin kontrolle më të forta sigurie për udhëtarët rusë që paraqiten në pikat e tyre të hyrjes.

KE u ka kërkuar gjithashtu konsullatave të shteteve anëtare në Rusi që të vlerësojnë kushtet në të cilat shtetasve rusë mund t’u lëshohen viza Shengen.

Sipas Komisionit, udhëzimet e përditësuara janë të nevojshme pasi numri i qytetarëve rusë që udhëtojnë në BE është rritur për shkak të përshkallëzimit të luftës Rusi-Ukrainë, duke përfshirë mobilizimin ushtarak dhe “referendumet”.

“Bashkimi Evropian është dhe do të mbetet gjithmonë një vend azili. Por kjo tani është para së gjithash një çështje sigurie: rritja e kontrollit mbi lëshimin e vizave dhe kontrollet e forta kufitare do të sigurojnë që ne të mbrojmë veten dhe unitetin tonë”, u shpreh Zëvendës-Presidenti për Promovimin e Mënyrës sonë Evropiane të Jetesës, Margaritis Schinas.

Ndërsa politikania suedeze Ylva Johansson, e cila shërben edhe si Komisionere për Punët e Brendshme, paralajmëroi shtetet anëtare se kërcënimi i sigurisë nga agresioni i Rusisë është real dhe se BE-ja duhet të mbrojë veten dhe qytetarët e saj.

“Ne po sigurohemi që të kemi një qasje koherente dhe të bashkuar në kufijtë e jashtëm të BE-së kundrejt qytetarëve rusë dhe gjithashtu kur bëhet fjalë për zbatimin e rregullave strikte për lëshimin e vizave me qëndrim të shkurtër për qytetarët rusë. Në të njëjtën kohë, Evropa nuk do të mbyllë derën e saj për ata që kanë nevojë të vërtetë për mbrojtje”, tha ajo.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x