Nga Frrok Çupi
Ditën kur dikush ‘me origjinë aziatiko- amerikane’ tha në Tiranë një fjalë të marë prej të folmes vendçe, ajo qe sekonda që e tronditi më shumë atë. Kë? Saliun. Kur themi ‘kë? Saliun?’ kemi të drejtë të pyesim, sepse ai është në ‘dy kopje’ dhe ‘në dy kohë’, njëri i ndershëm e tjetri ndryshe.
Çfarë tha ai i huaji ‘me fytyrë të verdhë’ dhe me mbiemër të shkurtër me vetëm dy shkronja? Tha se po shkojmë drejt ujërave ku ‘do të kapet peshku i madh’’ dhe bëri me dorë nga mugëtira.
Saliu e kapi sinjalin; ndërsa populli i Saliut kapi asgjënë.
Ajo ditë qe vërtet e tmerrshme; por jo për popullin e Saliut. Këta nuk kuptonin gjë, as donin të kuptonin, as sot nuk duan. Saliu e kuptoi cili ishte tmerri. Simboli i tmerrit ishte rrjeta. Rrjeta shërbeu si vija ndarëse mes njërës jetë dhe tjetrës, si në trans. Gjithë jetën Saliukishte jetuar në ujëra, atje ishte një ‘peshk’ në botë të padukshme. Ndërsa rrjeta po e nxirrte në sterre, ashtu siç ishte, lakuriq; me vjedhje të mëdha, me pisllëk, me thyerje bankash, me vila të qelbura nga krimi, me pasuri të fshehur. Të gjitha të vjedhura në mexhlis.
Tani, ja ku është Saliu, lakuriq.
Hë për hë në dritare lart në tra, herë- hera para hetuesit, me fëmijët grindet pse nuk munden ta fshehin plaçkën e vjedhur, tenton pafundësisht të zhytet prapë në ujërat ku ka qenë ‘i ndershëm’, lufton me vete e me ‘peshkatarin’ që të arrijë prapë atje ku ishte jeta e ndershme… Por kaq ishte, ajo jetë mori fund.
Marrëdhënia e Saliut të ndershëm me të gjithë fqinjët e tij humanë që përbëjnë ‘popullin’, më vjen se ndodhet si mysafiri që bujti në shtëpinë e fshatarit një natë. Xhindja e shtëpisë së fshatarit e dinin mysafirin ‘të pastër e të ndershëm’. Kur e panë që tek nisej për në shtëpi të vet, e bëri rrugën për nga koteci i pulave, u ra pika. E zonja e shtëpisë e ndoqi pas që t’i ndalte gjënë e grabitur; dhe mallkonte “A ky paska qenë i ndershmi ynë?’.
Tani, në jetën mbi ujë, Saliun po e shikojnë të gjithë që u vodhi pulat. Gjithë jetën e tij, në fakt, përveç jetës kur ishte në Byronë Politike, Saliu ka ‘pasur dorë’. Sapo u themelua PD, ai u bë i pasur ‘me dollarë’, sikur dollari ta kishte shtëpinë në Vicitol. Në ujërat e turbullta ku Saliu shikonte vetëm budallenj rrethe rrotull, mbante një shtëpi të ndershme ‘si populli’ në Brrakë. Pastaj ‘si i ndershëm’ sulmonte të gjithë ata që nuk i mashtronte dot. Nga fjala se ‘ka dorë’ për vjedhje, Saliu nisi të shquhej se ‘kishte dorë’ për vrasje. Por prapë ‘i ndershëm’. Atje nën ujëra as që mund të kuptohej nëse ishte lakuriq apo jo.
Saliu nuk humbi kurrë. Po të kishte provuar qoftë edhe një humbje, do të kishte ndodhur si me rrjetën; do të ishte ndarë nga jeta e ndershme. Ndoshta… Sepse humbja të bën njeri; Saliu nuk ia dha vetes këtë shans.
Qëndroi atje në ujëra, si peshk e herë si ‘sy- peshk’, por nuk kishte menduar se do të dilte ndonjëherë mbi ujëra. ‘Edhe po të dal, do të dal kur të jetë vonë për popullin budalla!’, kishte menduar. Sepse i përmbahet një parametri të vjetër juridik se ‘Nuk gjykohet krimi për të cilin krimineli është falur”.
E kishte mirë zoti Lu kur foli për ‘peshkun dhe rrjetën’. Aty u nda jeta e vërtetë e pistë e Saliut dhe jeta e ndershme. Tani kjo ka marrë fund; kush ka sy e shikon; të tjerët- nën ujë.