17.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Jepini Edi Ramës një pushkë me gjalmë 

Ndërsa ende operacioni i policisë së Kosovës në Veri të Mitrovicës, Banjskë vazhdon, në Tiranë ka një tjetër qasje. Gjithmonë shfrytëzohen çështje të tilla sensitive, por kahje të çuditëshme merr kjo në rastin e mësipërm dhe për Tiranën zyrtare. Po kërkohet armiku i Kosovës e gati-gati kanë “gjetur” edhe njërin prej terroristëve që vranë një polic (hero) e plagosën një tjetër. Ky nuk është personazh dosido, por vetë Kryeministri i Shqipërisë. Armiku është vetë Edi Rama?!…

Tollovia e opinioneve dhe analizave të mediumeve të Tiranës nuk ka mundur të frenojë durimin. Të qartësojë situatën. Të shmangë politizimin. Të flakë urrejtjen. Që në rastin e Edi Ramës, po shndrrohet në pathologjike. Duke i vënë mbi qafë edhe faje që nuk i ka. Edi Rama ka shumë faje në fakt. Por kur dikush e fajëson atë edhe për ngjarjet e fundit në Veri të Kosovës, kjo është e tepërt. E tillë do të ishte edhe po të ishte kryeministër Sali Berisha apo Ilir Meta, Lulzim Basha apo Enkeled Alibeaj. Madje edhe po të ishte kryeministër Gazmend Bardhi, e tepërt do të ishte…

Të ulur si gjithmonë në llogoren e tyre anti-Rama, fanatikët e tezave se “çdo e keqe na vjen prej tij”, duke lënë arësyen e logjikën “pushim”, i mëshojnë idesë se ngjarjet në Veri të Kosovës e kanë zanafillën nga përplasjet apo mosmarrëveshjet e Ramës me Albin Kurtin, nga anulimi i mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë, nga drafti “Rama” për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dorëzuar Sholz e Macron e që nuk dihet çfarë përmban, nga deklarata pas daljes së Kurtit, nga deklarata ambuige, etj etj. Si “trap” për të kaluar “lumin” e analizave, autorët gjejnë gjithnjë marrdhënien Rama-Vuçiç. Eshtë mik me Vuçiç, është palë me Vuçiç, është vëlla me Vuçiç. Këtu shteron më pas gjithë argumenti.

Eshtë e vështirë të imagjinohet, e jo me të besohet se një kryeministër shqiptar, cilido qoftë ai, të punojë kundër interesave të Kosovës. Eshtë po ky Ramë që vite më parë ngazëlleu të madh e të vogël shqiptar në Kosovë e Shqipëri e ku gjenden, kur perballë Vuçiçit në Beograd mbrojti Kosovës si kurrë e asnjëri më parë. Po ky që vetëm pak ditë më parë, në tribunën më të lartë globale, duke i’u drejtuar përfaqësuesit të Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB, tha se “Kosova nuk ka kthim pas”.  

Sot, Kosova ka nevojë për të gjithë ne. Qoftë edhe për një fjalë të mirë. Kosova dhe politika e saj ka arritur një fitore domethënëse. Duke neutralizuar një grup terrorist, të armatosur sa për një ushtri të tërë, politika e Kosovës i nxori kallajin politikës skuthe të Serbisë, e cila, nga analiza e grupit terrorist dhe armatimit, kishte synime të qarta destabilizuese të paimagjnueshme. Serbia gjithashtu doli cullak, kur shpalli ditë zie për ditëzinjtë.

Kësisoj, armikun e vërtetë të Kosovës e dimë. Revolucionarët politikë, shoqërorë e analitikë, syrin në thep e shqekzë.

Përndryshe, jepini Edi Ramës një pushkë me gjalmë e dërgojeni të luftojë terroristët e Banjskës së Zveçanit…

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x