Në javën e Modës në Londër, stilisti me origjinë turke, Bora Aksu, ia dedikoi koleksionin e ri vjeshtë/dimër 2023, vendlindjes së tij Turqisë e cila u godit nga tërmetet e fuqishme më 6 shkurt.
I frymëzuar nga filmi vizatimor “Wednesday Addams” dhe piktori norvegjez Edvard Munch, stilisti ia dedikoi ditën e tij, viktimave të tërmetit që tronditi Turqinë mëngjesin e 6 shkurtit.
Sfilata në fakt ishte e qetë, pa të qeshura, me duartrokitje vetëm në fund të saj. Modelet ishin veshur kryesisht në të zezë dhe të bardhë dhe në asnjë krijim, nuk mungonte dantella e tyli i dendur, në fustane e funde. Sikurse edhe copat me pika, të preferuarat e stilistit turk. Nuk mungonin në ide, edhe ngjyrat blu apo rozë e fortë, sa për të thyer bardh e zinë e koleksionit të ri.