Në një vlerësim të paklasifikuar të inteligjencës amerikane, që i është dërguar Kongresit, thuhet se nga shpërthimi në spitalin në Qytetin e Gazës kanë vdekur nga 100 deri në 300 persona.
Këto shifra paraqesin “numër të lartë të humbjes së jetës”, thanë zyrtarët e inteligjencës amerikane në vlerësimin e tyre, të cilin e ka parë Associated Press. Zyrtarët e inteligjencës ende po shqyrtojnë provat dhe vlerësimi i tyre mund të evoluojë.
Shpërthimi ndodhi në spitalin Al-Ahli të Gazës më 17 tetor, në objektin e të cilit ishin strehuar palestinezë.
Zyrtarët e grupit militant palestinez Hamas menjëherë fajësuan një sulm ajror izraelit për shpërthimin në spital. Izraeli mohoi përfshirjen.
Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe zyrtarë të tjerë amerikanë veçse kanë deklaruar se inteligjenca amerikane beson se shpërthimi nuk është shkaktuar nga një sulm ajror izraelit. Edhe në vlerësimin dërguar Kongresit përmendet ky qëndrim.
Në vlerësimin e inteligjencës amerikane po ashtu u tha se “vetëm dëmtime të lehta strukturore” ishin të dukshme në spital dhe nuk është parë ndonjë krater i krijuar.
Izraeli ka fajësuar për shpërthimin në spital grupin tjetër palestinez, Xhihadi Islamik. Por, ky grup ka mohuar përfshirjen.
Izraeli është zotuar se do të shkatërrojë grupin Hamas, pasi ky i fundit nisi sulme të koordinuara nga toka, ajri dhe deti ndaj Izraelit më 7 tetor. Që atëherë, Izraeli ka bombarduar Rripin e Gazës – ku jetojnë 2.3 milionë palestinezë – dhe ka urdhëruar evakuimin e banorëve nga veriu për në jug të këtij territori, duke u zotuar se do të kryejë një pushtim tokësor të Gazës./rel
- Fiaskoja e shtrenjtë e Elon Musk, dhuroi 474 milionë dollarë dhe humbi mburojën e tij politike në Teksas - 05/11/2026
- Disfata në zgjedhje, Vance nis lëvizjet për epokën pas Trump, kritikon hapur luftën me Iranin: Me sytë nga 2028, humbëm për këtë arsye - 05/11/2026
- Disfata në zgjedhjet e mesmandatit/ Republikanët pranojnë humbjen: Rezultati shumë më i keq nga sa prisnim - 05/11/2026