Nga E.Robelli
Ky burri me qese në dorë dikur ka qenë politikani më me ndikim në Republikën e Kroacisë. Ka qenë kryeministër. Ka qenë i përkëdhelur i bashkësisë ndërkombëtare. Ka qenë i mirëpritur në Bruksel dhe në kryeqytete të tjera të rëndësishme të Europës.
Më 2009 papritmas dha dorëheqje. Në fillim të dhjetorit 2010 iku nga Kroacia, por aventura e tij zgjati vetëm 24 orë: u arrestua në autostradë afër Salzburgut në Austri.
Gati 15 vite kanë kaluar nga ajo kohë. Burri me qese në dorë, i njohur me emrin Ivo Sanader, doli sot nga burgu. Deri tani, si në paraburgim ashtu edhe në bazë të vendimeve gjyqësore, ai ka kaluar në burg gati 10 vjet.
Ivo Sanader është dënuar me vendim të formës së prerë në tri raste: për përvetësimin e parave nga ndërmarrjet publike, për kërkim dhe marrje ryshfeti si dhe për dorëzimin e të drejtave menaxhuese mbi kompaninë Ina tek kompania hungareze MOL në këmbim të ryshfetit.
E.Robelli do të mund të hynte në histori si një personalitet i madh i politikës kroate. Para se të futej në terrenin e minuar të politikës, ai ishte drejtor teatri në Split. Fliste italisht, gjermanisht, anglisht.
Kur u bë kryeministër, i dha fund trashëgimisë së plumbtë të Franjo Tuxhmanit. E orientoi Kroacinë drejt BE-së. Krijoi kushtet për arrestimin e Ante Gotovinës. Kësisoj hapi shtegun për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Por gjatë qeverisjes atë e tradhtoi instinkti i pushtetit – dhe ai i lakmisë.
Dhe ja ku është tani: një burrë me një qese. I përbuzur. I harruar. I vetmuar. Dhe meritueshëm i dënuar! Ndërkohë vendi i tij është anëtar i Bashkimit Europian, është pjesë e Schengenit dhe paguan me euro (në NATO Kroacia ka hyrë më 1 prill 2009, atëherë kryeministër ishte Ivo Sanader).
Për krejt veprat e tij, drejtësia kroate e ka dënuar me gjithsejt 18 vjet burg. Sipas ligjit, janë plotësuar kushtet që ai të lirohet paraprakisht, por deri në vitin 2032 do të jetë nën mbikëqyrje të autoriteteve.
- “I përbuzur. I harruar. I vetmuar” – Një burrë me qese në dorë…/ Ivo Sanader futi Kroacinë në BE por dhe veten në burg falë lakmisë… - 04/08/2025
- Historia e ish-punonjësit të trenit Eriseld Zeneli që sot punon në Parlamentin Europian: Erdha në Itali në vitin 95′ bashkë me nënën time - 04/08/2025
- 21 Janari, Berisha: E kam quajtur unë i pari ”krim shtetëror”, por pa dashje - 04/08/2025