14.5 C
Tirana
22 / 10 / 2025

HISTORI TË  PARRËFYERA/ Projekti “BGFIEND”, pjesa e parë

Nga Genci Gjikaj

PROLOG

Janë disa ngjarje në historinë e Shqipërisë Komuniste që nuk mund të harrohen.

Të ndodhura në rrethana të pabesueshme ato ngelen si një obelisk “i gjallë” kujtese për breza të tërë.

Pena.al ka për qëllim të rikthejë në vëmendjen e publikut këto ngjarje, të cilat ndoshta për vitet kur ndodhën ishin shumë vështirë të fliteshin dhe aq më tepër të botoheshin në një faqe gazete. Ngjarje të vërteta që patën impakt në shoqërinë e traumatizuar shqiptare të asaj kohe.

…………………………………………………………………………………………………………………………..

PROJEKTI “BGFIEND”

Projekti BGFIEND, i aprovuar më 22 qershor 1949, autorizon një seri programesh politike, psikologjike e ekonomike, për ta bërë Shqipërinë të pavlefshme për Bashkimin Sovjetik si bazë operacionesh. Në mbështetje të këtij programi janë krijuar disa struktura qëndrimi apo stërvitjeje në disa vende të Evropës Lindore. Përdorimi i Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë si mbulim për aktivitetet e fshehta, është bërë nga OPC dhe arritjet e deritanishme janë si më poshtë: OPC ka mbledhur një personel prej 250 shqiptarësh në Gjermani, nga të cilët do të zgjidhen grupe për stërvitje në luftë guerile dhe infiltrim. Më 11 nëntor 1950, pas një periudhe trajnimi në shkollën e fshehtë në Gjermani, grupi i parë prej nëntëshqiptarësh u lëshua nga një avion pa simbole, i drejtuar nga ekuipazh polak, në dy zona të Shqipërisë, siç tregohet në hartë.

Misioni i tyre ishte krijimi i një bërthame grupesh rezistence, krijimi i vendeve të sigurta dhe përgatitja e strukturave për lëshimet e mëtejshme të materialeve. Në fushën e luftës psikologjike, në nën-komitetin e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, ka punuar nën mbikëqyrjen e personelit të OPC prej disa muajsh për përgatitjen e materialeve të propagandës. Mbi Shqipëri janë lëshuar materiale propagande prej 500 000 fletësh për çdo lëshim, në qendra kryesore urbane, në datat 16 tetor 1950, 7 nëntor, 27 nëntor dhe 1 janar 1951. Në tre raste fletët u lëshuan nga avioni i fshehtë i OPC, kurse në lëshimin e 1 janarit u përdor një avion i inteligjencës britanike.

Si mjete të tjera shtesë të luftës psikologjike janë përdorur transmetime radio në valë të shkurtra e valë të mesme nga transmetues të instaluar në një mjet detar të OPC, nën një flamur të huaj në Mesdhe. Mbulimi për këto aktivitete është një ekspeditë shkencore për biologjinë detare të zonës. Transmetuesi pritet të nisë propagandën negative kundër regjimit të Hoxhës në fund të shkurtit dhe mbështetet nga staf shqiptar në bord dhe nga toka. Agjentët shqiptarë; Dibër: Adem Curraj, lider legalist, Zethan Daçi, legalist, Sali Dalini legalist. Kosovë: Miftar Planeja lider, Balli Kombëtar, Halil Norguti legalist, Ramadan Canaj legalist, Rexhit Berisha, Partia Agrare. Kruja: Ilir Toptani lider legalist, Selim Daci Partia Agrare.

Biseda me Departamentin e Shtetit mbi operacionin BGFIEND

Që prej bisedës së fundit mbi operacionin BGFIEND më 25 tetor, janë marrë informacionet e mëposhtme: Një transmetim i Radio Tiranës më 24 nëntor 1951, që u monitorua nga FBIS, njoftonte për eliminimin e 13 spiunëve të lëshuar me parashutë në territorin e Shqipërisë, nga spiunazhi i Shteteve të Bashkuara. Të shtatë njerëzit e përmendur në lajm ishin anëtarë të grupit të OPC. Ka gjasa që edhe gjashtë të tjerët që nuk u emëruan të jenë anëtarë të grupit të OPC. Më 25 tetor 1952, Radio Tirana lajmëroi për eliminimin e shtatë spiunëve të infiltruar në Shqipëri nga shërbimet sekrete britanike. Shtetet e Bashkuara nuk u përmendën si pjesëmarrëse në infiltrim, por dihet se tre prej njerëzve ishin anëtarë të grupit të OPC nga CIA. Radio Tirana raportoi më 27 tetor se 33 spiunë jugosllavë u kapën ose u vranë nga forcat shtetërore të sigurisë. Asnjë prej tyre nuk ishte agjent i OPC. Këto tre lajmërime tregojnë për suksesin e forcave qeveritare në ndalimin e infiltrimeve nga jashtë. Aktualisht, vetëm dy grupe të OPC janë operativë në Shqipëri, por meqënëse ende nuk është vendosur kontakti radio, statusi i operacioneve nuk njihet.

Politikat

Është marrë informacioni i mëposhtëm mbi politikat britanike në lidhje me Shqipërinë: Ministria e Jashtme britanike favorizon një Shqipëri të lirë e të pavarur, dhe këshillon kështu edhe Departamentin e Shtetit. Ambasadori i ri britanik në Jugosllavi është instruktuar të informojë Titon për qëllimet britanike në Shqipëri, për dëshirën për të ditur më shumë mbi Lidhjen e Prizrenit, dhe nëse bashkëpunimi mes vendeve është i mundshëm kur objektivat janë të përbashkëta. Britanikët mendojnë se prezantimi i pikëpamjeve anglo-amerikane duhet të bëhet në mënyrë të koordinuar, dhe besojnë se NCFA duhet të ndalojë propagandën që pengon mundësitë e bashkëpunimit me Lidhjen e Prizrenit. Britanikët kanë informuar italianët mbi zhvillimet dhe u gëzuan kur ata shprehën lehtësim se nuk parashikohet një ndarje e Shqipërisë dhe se çështja do të trajtohet nga anglezët e amerikanët. Diskutimet për misionin çuan në konkluzionin se nëse duhet të kryhet një operacion i shkallës së gjerë, ai të mbështetet në tre pika kryesore: Në pozitën miqësore neutrale të Jugosllavisë ose bashkëpunimin e saj aktiv; Në pikëpamjet e krerëve ushtarakë anglezë e amerikanë; Dhe në vlerësimin mbi pozitën jugosllave si miqësore apo neutrale.

Roli i Harri Fultz në Shqipëri

Dokumentat e 1094 të CIA flasin dhe për aktivitetin e Harri Fultz në Shqipëri. Një dokument i CIA thotë se është marrë informacion nga një burimi mirë-vendosur, se këshilltari kryesor i Komitetit Shqiptar për Shqipërinë e Lirë (NCFA) gjatë një vizite të kohëve të fundit në Washington ka qenë Harri Fultz, i njohur për intelektualët shqiptarë pasi ka drejtuar për shumë vjet një shkollë të Kryqit të Kuq në Tiranë (Fultz u detyrua të largohej nga Shqipëria në vitin 1932 kur mbreti Zog mbylli të gjitha institucionet mësimore të huaja, pasi sipas opinionit të ministrit të tij të arsimit, Kol Ivanaj, ishin burime politike të huaja për agjitacion dhe spiunazh.

Më vonë, ai u bë këshilltar i Departamentit të Shtetit për çështjet e Ballkanit). Në bisedimet me shqiptarët, Fultz raportohet t’u ketë thënë se do t’i pëlqente ta shite vendin ku kishte kaluar shumë vjet, të çliruar nga komunizmi, dhe u ka premtuar mbështetjen personale dhe të organizatës në të cilën ishte drejtor. Në fund të takimit raportohet se ai u dha çdo anëtari të komitetit një dhuratë prej 5000 dollarësh (Një tjetër raportim mbi çështjen tregon se çdo anëtar i komiteti NCFA ka marrë një dhuratë prej 5000 dollarë nga Departamenti i Shtetit). Gjetja e zëvendësimit të Mithat Frashërit si kryetar i Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, nuk ka qenë e lehtë. Për momentin është vendosur të zgjidhet Presidenti i Ballit Kombëtar, duke e lënë të lirë vendin e kreut të Komitetit. Pas diskutimeve të zgjatura, Balli Kombëtar zgjodhi Hasan Dostin.

Dosti është një ish-gjyqtar e ministër drejtësie gjatë pushtimit italian të Shqipërisë, por edhe pse është shpallur kriminel lufte nga qeveria aktuale e Shqipërisë, nuk konsiderohet si një nga kolaboracionistët më të këqij. Ai është një njeri i zakonshëm, rreth 50 vjeç, që jeton në Via Kalabria nr. 32 në Romë. Ka shumë miq italianë, duke përfshirë dhe ata me influencë. Ai ka punuar vazhdimisht gjatë viteve në emigracion për të luftuar kundër ndjenjës tradicionale anti-italiane të Ballit Kombëtar dhe ka fituar mbështetjen e autoriteteve. Për momentin, Dosti besohet se është ende në Nju Jork, ku ka ardhur në fillim të vitit si përfaqësues i Ballit Kombëtar, me detyrën e vështirë, sipas burimeve, të konvertojë refugjatët pro-komunistë në Shtetet e Bashkuara.

Burimet thonë se Dosti nuk vendosur ende nëse do të qëndrojë në SHBA, ku është dhe selia qendrore e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, apo do të kthehet në Romë për të shërbyer me përpjekjet e veprimeve praktike për çlirimin e Shqipërisë. Zgjedhja e Dostit u kundërshtua me forcë nga Abaz Kupi, lideri monarkist shqiptar, dhe kundërshtar politik e personal i Ballit Kombëtar dhe vetë Dostit. Zgjedhja e tij u kundërshtua edhe nga grupi ballist që kishte dashur të zgjidhte në krye Nuredin Vlorën, pinjoll i një prej familjeve më të mëdha shqiptare dhe ish-ministër i Turqisë për Shqipërinë gjatë sundimit të Abdul Hamidit.

Burimet thonë se Vlora është një figurë disi piktoreske dhe anakronike që megjithëse është 60 vjeç, jeton në komfort në ishullin italian të Kaprit. Ai është martuar me mbesën e Wodrow Wilson, ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara, por raportohet të jetë ndarë prej saj. Lidhjet e tij me rrethet kosmopolitane amerikane do të ishin në favor të tij, por u kundërshtua sepse edhe pse është anëtar i spikatur i Ballit, i kishte neglizhuar prej disa kohësh punët e partisë për të jetuar jetën luksoze në Kapri. Arsyeja kryesore për mos-zgjedhjen e tij ishte se shumë anëtarë të Ballit mendonin se Dosti mund të kontrollohej lehtësisht.

Vijon…

Pena.al

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x