Nga Fieri në Gjenevë, vajza e vogël që i ngeli në mendje thënia se ” ne jemi të bërë nga gjëra yjesh”, na tregon rrugëtimin e saj drejt fizikës bërthamore. Përfaqësuese e një brezi që nuk ka frikë të jetë “nerd” modern, që studion shkencë, po dëgjon rock, vishet me Naruto, lyen floket blu e dëfrehet në festa dhe flet gjysma anglisht gjysma shqip, Edesa Behaj është shembulli më i mirë se kur dëshiron me forcë diçka, ajo bëhet fuqia jote.
Edesa Behaj është vajza nga Fieri, e cila që e vogël ka ndarë mendjen që do bëhej fizikante, prandaj nuk kishte aspak surprizë kur filloi të studionte Fizikë pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Ajo sapo është kthyer, është e freskët, nga CERN – Qendra e Fizikës Bërthamore Europiane në Gjenevë në Zvicër. Le ti marrim emocionet që në fillim, sa janë të ngrohta. Cfarë ishte për ty udhëtimi dhe eksperienca në CERN, vendi ku fizikantët më të mëdhenj e të shquar të botës kanë qënë pjesë. Keni zbuluar ndonjë gjë të re?
Kjo ishte një eksperiencë që unë si të thuash e kam manifestuar në njëfarë mënyre pa e ditur. Prindërit më kanë detyruar që e vogël të lexoja të paktën një libër në muaj. Në fillim e merrja me përtesë, derisa pastaj fillova të lexoja këto librat që ishin pak sci-fi. Lexoja këto gjërat nga fizika dhe mua realisht më dukeshin art, më dukej shumë poetike mënyra se si fizika përdorej për të kuptuar universin. Ka qënë një libër në vecanti i Arthur Clarke, dhe atje ishte një quote e Carl Sagan “Ne të gjithë jemi të përbërë nga gjëra yjesh”, dmth që atomet tona janë atomet e yjeve dhe mua kjo mu duk uau dhe ja thashë mamit. Nuk kuptoja asgjë realisht, asgjë tjetër nga ai libri, sepse ishin shumë teknike, por që kjo fjalia më ka ngelur në mëndje. Më vonë kam lexuar për CERN në një libër të Dan Brown. Thjesht e lexova, e google-ova dhe thashë ok, kjo është ëndrra ime tani. Kur kam aplikuar për CERN ka qënë dita e fundit e deadline dhe pastaj mbylleshin aplikimet. Nuk e prisja që do shkoja, ose mendoja që do shkoja meqë jam e vetmja nga Shqipëria, por nuk e kisha procesuar akoma që do të shkoja. Kur vjen e-maili e shihja dhe mendoja “ok, do shkoj”. Realisht e kam procesuar javën e dytë që kam qënë atje. Ishte shumë uau dhe qëlloi që këtë verë kur ishim ne, filloi procedura e tretë e eksperimenteve, sepse ata ecin me periudha kohore: 3-4 vite eksperiment dhe pastaj bëjnë shut down, sepse bëjnë upgrade gjithcka dhe ndryshojnë edhe pjesët përbërëse të akseleratorëve. Tani në verë që shkuam ne, qëlloi që ishte periudha e tretë e eksperimenteve dhe ne kemi qënë të gjithë bashkë të mbledhur te kafja, sepse poshtë nuk mblidhemi dot për shkak të rrezatimit. Ai ka qënë ndër emocionet më të bukura. Qëlloi që te eksperimenti që bëja pjesë unë, përshpjetuesi zbuloi dicka, dy grimca të reja: pentaquark dhe një më tetë quark dhe ishte shumë nice.
Edesa, ti ke tre vjet, që përpos studimeve, bachelor në Fizikë, je dhe pjesë e Akademisë së Shkencave si interne dhe pjesë në projekte të ndryshme, por gjithashtu je pjesë edhe e SCI-Dev si praktikante dhe koordinatore projektesh. Në këto tre vjet që ti e prek Akademinë dhe shoqërinë civile, cfarë ke vënë re? A ka një ndryshim, një pjesëmarrje më të madhe të vajzave drejt shkencës? A ka interes më të rritur, por jo vetëm pjesëmarrje në sensin e të qenurit pjesë e auditoreve, por edhe një lloj grinte dhe orientimi për të shkuar më tej, për të bërë më lart në karrierë?
Për fat të keq, në paralelin tim në degën e Fizikës ne ishim shumë pak veta edhe qëlloi që personat që kishin ardhur nuk ishin aq të apasionuar pas degës dhe domosdo kur nuk e ke me pasion dhe me qejf çdo gjë të duket si e bezdisshme ose shumë punë. Unë kam në shoqërinë time goca që janë super të mira dhe shumë të dhëna pas kimisë, inxhinierisë informatike, programimit, matematikës dhe janë persona që nuk shkojnë atje thjesht, sepse kjo ngeli si alternativë e fundit, shkojnë sepse e ndiejnë veten të fuqishme në atë gjë që bëjnë edhe kjo është shumë ndjesi e bukur. Shikon që realisht nuk janë vetëm fjalë që gocat mund të bëjnë gjithcka, por i shikon dhe me vepra.
Më pëlqen shumë shprehja që ato e ndjejnë veten të fuqishme në atë që duan të bëjnë, dhe uroj që kjo të shtrihet jo vetëm në fushën e shkencës dhe të vazhdoj jo vetëm për kohën që janë studente por edhe më tej në karrierë. Ne e kemi përsëritur shumë herë që vajzat që studiojnë në STEM kanë një drop-out rate shumë të lartë krahasuar me meshkujt në këto fusha. Kështuqë kjo ndjesia e fuqisë të jetë gjatë gjithë rrugëtimit të tyre.
Po, kjo duhet promovuar goxha mendoj unë, sepse nuk është se vajzat nuk janë të afta ta bëjnë, por të gjithë vijmë nga familje të ndryshme, nga rrethana të ndryshme, nga shoqëri të ndryshme dhe ka persona që gjatë gjithë jetës së tyre dëgjojnë “ti nuk mund ta bësh” dhe mendojnë që nuk mund ta bëjnë, ashtu si ka të tjera që ajo u shërben si fuqi dhe shkojnë atje e bëjnë dhe tregojnë që ia dolën.
Le të rikthehemi dhe një herë të rrugëtimi yt drejt fizikës. Ishte vetëm libri dhe shprehja e Sagan që të shtyu drejt kësaj fushe apo ka pasur edhe njerëz të tjerë që ty të kanë mbështetur dhe orientuar për këtë zgjedhje?
Mbështetje kam pasur gjithmonë, ndërsa orientim të them të drejtën jo. Mendoj që kjo është një gjë shumë e mirë nga familja ime, që nuk më kanë ndikuar asnjëherë në drejtimin që unë doja të vazhdoja për jetën time, thjesht kanë qënë mbështetës. Edhe kur unë kam pasur dyshimet e mia për të vazhduar fizikën, sepse me atë kapacitet mendor që kisha atëherë, mendoja se e ardhmja ime do ishte thjesht mësuese dhe nëse ia vlen apo jo, se normalisht kërkoja më shumë. Mendoja që jetoj këtu ku jetoj dhe a do t’ia dal dot. Kuptohet që ky mendim u përmbys më vonë, por që pata shumë mbështetje nga mami dhe nga babi. Orientim nuk kam pasur të them të drejtën nga askush, madje personi që më ka frymëzuar për të vazhduar fizikë dhe që mendoja edhe nëse do jem thjesht mësuese , nëqoftëse do jem si ky person ia vlen, sepse do dali dikush tjetër nga unë, ka qenë mësuesi i gjimnazit. Ky mund të ketë qënë në eksperiencat e mia i vetmi mësues që edhe nëse ti ishe duke ngelur në atë lëndë apo nuk kuptoja asgjë, kishe një respekt që të buronte natyrshëm. Unë frymëzohesha nga mënyra se si ai jepte mësim, sesi kur u ndërrua sistemi i mësimdhënies, i cili më përpara ishtë i fokusuar më shumë drejt shkencës dhe më pas u bë më sociale , ky person mundohej gjithmonë të jepte më të mirën e tij dhe më të mirën e lëndës. Mënyra si ai e trajtonte nxënësin ishte shumë frymëzues dhe nuk na e bëri asnjëherë të mërzitshme lëndën. Ti ndiheshe me vlerë gjithmonë në orën e tij.
Brezi yt quhet brezi i barazisë. Përpara brezit tënd, por edhe shumë brezave të tjerë përpara tij, është bërë një luftë për barazinë dhe për shumë të drejta, gratë për më shumë qasje në shkencë sepse laboratoret kanë qënë të mbyllur për to, auditoret kanë qënë të mbyllura për to. Është e vërtetë që sot ka më pak paragjykime për vajzat që duan të ndjekin rrugën e tyre në shkencë, apo për ato që janë pjesë tashmë e shkencës. Cfarë thotë shoqëria jote për ty, ajo që nuk është pjesë e të njejtit auditor si ty?
Paragjykimet janë, kanë qënë dhe do jenë gjithmonë të pranishme. Sot ka më shumë mbështetje për vajzat edhe gratë, jo vetëm për shkencën, por për çfarëdo lloj drejtimi që ato duan të zgjedhin në jetën e tyre. Duke qenë se për shkencën është krijuar idea se kërkon më shumë përkushtim, që kërkon njëfarë dhuntie të lindur edhe stereotipi është që kjo dhuntia gjendet gjithmonë te burrat, e nëqoftëse gjendet te vajzat është rast i rrallë. Ajo cfarë tani ka ndryshuar dhe në mendimin tim më e rëndësishme, është mënyra se si ne përballemi me këto paragjykime. Në momentin që del një vajzë dhe është shumë e sigurtë në veten e saj, ajo nuk do tutet para askujt, qoftë ky burrë apo grua që e paragjykon. Megjithatë po, sot nuk është aq e vështirë. Ka vështirësitë e saj kuptohet, tani të paktën ne e kemi mundësinë e zgjedhjes. Ka vështirësitë e saj, kemi goxha disnivel me djemtë dhe burrat, por të paktën kemi mundësinë e zgjedhjes. Fundja kur themi gratë i bëjnë të gjitha, do ta kalojmë edhe këtë vështirësi.
Unë jam e vetmja nga shoqëria e afërt që vazhdoj shkencë dhe ndër shkenca, fizika është më e frikshmja “gogoli”. Nuk e kuptoj pse, sepse ajo është më e bukura. Kam pak autoritet mbi të tjerët, thjesht për faktin që jam në shkencë dhe jam e mirë në atë që bëj. Respekti imponohet, nëse ti ke respekt për veten, i detyron dhe të tjerët të kenë respekt për ty. Një person që është i zoti në shkencë, ose në cfarëdolloj fushe, po kryesisht në shkencë, ka një respekt të madh për veten dhe në njëfarë mënyre ndihet superior mund të themi, por pa të keq. Kjo bën që të shohin ndryshe edhe pse je vajzë apo djalë.
Është imponim apo një aftësi e jotja për të komunikuar ndoshta më mirë se të tjerët atë që ti bën? Shkencat njihen si “gogol”, ose të paktën kështu është mentaliteti, por është edhe një lloj aftësie e jotja që di të komunikosh, të mbrosh mirë atë që ti bën.
Po, në fakt, kjo është një gjë e zgjuar që duhet prekur. Unë mendoj që çfarëdolloj gjëje që ne duam të ndryshojmë apo të sjellim diçka të re që është jo shumë brenda kornizave që janë caktuar, në momentin që e bën thjesht si rebel, për inat dhe thjesht, sepse do të dali e jotja, në njëfarë mënyre e përcjell edhe tek tjetri dhe superioritetin tënd e tregon duke e bërë tjetrin të ndihet inferior. Unë mendoj që kjo është shumë e gabuar. Në momentin që ti je i qetë dhe pozitiv dhe realisht kjo që do të sjellësh është e mirë në përgjithësi, vjen një moment që personi tjetër e kupton dhe edhe pse kjo mund të jetë kundër parimeve të tij, arrin ta ndiejë që ndryshimi nuk është edhe aq i keq. Kryesisht njerëzit që shkojnë për shkencë kanë probleme me komunikimin, në kuptimin që për ne është e thjeshtë të flasim në gjuhën e matematikës apo me formula, por zhvillimi i komunikimit dhe pjesës sociale ndonjëherë mbetet shumë i vogël. Prandaj është krijuar kjo idea që nëse shkon për shkencë do jesh ‘nerd’, nuk mund të flasësh, nuk bën dot qejf, nuk ke hobi, nuk ke asgjë. Unë nuk kam qënë ndonjëherë e tillë, kam qënë sociale dhe kam dashur që këtë pjesë ta zgjeroj pak, edhe me persona që janë më zyrtarë, më formal, që s’kanë lidhje fare me fushën time. Sci-dev ishte pikërisht një mënyrë që unë të mësoj si funksionojnë gjërat, qoftë edhe nga ana logjistike.
Para se të shkojmë tek eksperienca jote në lidhje më rrjetin e grave shqiptare në STEM, por edhe me Scidev, ti ke qënë menaxhere e faqes së internetit, redaktore e parë e revistës me lajme nga astronomia ”Ylli shqiptar”. Pas kësaj ke eksperiencën në Rrjetin e Grave Shqiptare në STEM, por gjithashtu edhe ne Sci-dev që ti kujdesesh për komunikimin. Ndërkohë që te “Ylli shqiptar” ti komunikoje shkencë, tani në Sci-dev ti komunikon edhe fusha të tjera humane dhe sociale. Si je ndjerë në këto role dhe në eksperiencën tënde sa je rritur dhe sa do t’ia rekomandoje miqve të tu të Fakultetit të Shkencave të Natyrës këtë gjë?
Projektin e “Yllit shqiptar” në fakt nuk e prisja dhe nuk kisha aplikuar, thjesht e nisur nga kushëriri bëra një e-mail te Akademia e Shkencave një personi që ai njihte, thjesht me idenë që unë të shkoj dhe të punoj vullnetarisht, të bëj diçka përveç shkollës. Më pas u lidha me zysh Mozën, Mimoza Hafizin, të cilën unë e njihja edhe më përpara dhe kisha lexuar një nga librat e saj “Pika trëndafil”. Ka qenë dhe ajo një shtysë shumë e madhe, sepse një grua e susksseshme në fizikë mendova “I can do it too”. Aty pastaj u lidha me zysh Mozën dhe i thashë që doja të jepja kontributin tim. Aty lindi idea për këtë faqen që ekzistonte tashmë, por nuk kishte kush ta mirëmbante dhe e mora unë përsipër. Më vonë mendohej që të zgjerohej dhe grupi i personave që punonin tek kjo faqe. Ja dolëm, dhe për 1 vit e pak e mbajtëm goxha mirë. Ishte shumë qejf, përkthimi, editimi, përshtatja në faqe, ishte një eksperiencë e re. Unë kisha qënë gjithmonë shumë e friksuar nga idea e postimit, e krijimit të faqeve dhe duke e provuar e kuptova që nuk ishte dhe aq e vështirë dhe që mund ta bësh. Ishte eksperiencë goxha e bukur. Ndryshimi me lajmet që unë publikoja te revista me komunikimin që bëj tani te Scidev është se ishte shume thjeshtë të merrja nga anglishtja dhe pastaj t’i përshtasje për revistën, ndërkohë që këtu më duhet që në një paragraf shumë të shkurtër të përmbledh gjithë mesazhin që aktiviteti apo posteri apo video që ne po publikojmë, të përcjellë te personi që e lexon apo e sheh. Më përpara nuk më bënte përshtypje dhe mendoja që këto janë gjëra koti, por pastaj realisht u përshtata. Tani kur lexoj gjëra që unë shkruaj dhe gjëra të tjera që nuk më pëlqejnë, arrij ta bëj ndryshimin mes një gjëje të saktë dhe jo.
Mendon se ke marr ndonjë aftësi për të komunikuar edhe më mirë shkencën që ti bën?
Po, sepse këtu kupton që fjalët e tepërta janë fukarallëk kur i thonë, dhe në momentin që ti i zgjedh fjalët e duhura, mesazhi përcillet thjesht më mirë. Nuk e di, është e çuditshme me thënë të drejtën si funksionon komunikimi.
Mbetemi sërisht te komunikimi. Ti flet shqip, anglisht, spanjisht, italisht dhe gjermanisht. Je pjesë e një brezi që je qytetare e botës, nuk je vetëm qytetare e Shqipërisë, merresh vesh me njerëz në shumë vende të ndryshme. Kufijtë e botës tashmë nuk janë më. Ku e sheh ti veten, e armatosur me këtë dijen tënde dhe pasionin për fizikën, armatosur edhe me këto gjuhët e huaja që mund të të hapin shumë rrugë në të ardhmen?
Kjo është si ato pyetjet “ku e sheh veten pas 5 vitesh”, që janë shumë ankthioze. Nuk e di, unë nuk e kam pasur ndonjëherë një vend të caktuar, që ta kem patur ëndërr të jetoj aty apo të jem e lidhur shpirtërisht. Për sa kohë unë bëj atë dua, edhe profesionalisht, mjafton të gjej atë thirrjen time. Ok, unë kam qejf fizikën, por dua që këtë ta aplikoj në diçka të dobishme. Nuk është se unë pas 1 muaji do dal me shpikjen më të madhe apo do shpëtoj njerëzimin nga ngrohja globale, por dua që dijet e mia ti aplikoj në këtë lloj fushe edhe nuk do më interesojë shume se ku do jetoj për sa kohë do arrij të bëj atë që dua të bëj. Kjo më duket gjë e bukur, sepse kur isha e vogël në mendjen time ishte vetëm Shqipëria e vogël, tani tani e shoh botën. Eksperienca e cila më ndihmoi shumë, ishte CERN, sepse ne ishim 300 studentë nga mbi 100 vende të botës. Ti flet me ta, shoqërohesh ditë për ditë dhe kupton që bota është shumë e madhe, por edhe shumë e vogël. Mund t’ia arrish cdo lloj gjëje.
Edesa, ti the nuk je tip ‘nerd’ në kuptimin e mirë të fjalës dhe vet pamja jote tregon që ti je jashtë kornizave të zakonshme se cfarë mund të mendojnë njerzit: përparësen e bardhë të laboratorit. Cili është stili yt në veshje, në muzikë. Si vishesh në laborator dhe si i sheh ti shkencëtaret e sotme, jashtë atyre modeleve klishe?
Të them të drejtën, mënyra si unë vishem, ajo që dëgjoj dhe si sillem është definicion i nerd-it të modernizuar. Nëse më parë nerd-i ishte një person që vetëm lexon, ka syze dhe është “i shëmtuar” në sensin që nuk kujdesen për veten, tani nerd-at janë persona që shohin shume anime, degjojnë rock, tekno, që vishen me Naruto, që presin flokët e i lyejnë. Ky ështe nerd i sotëm, dhe nëse merret me fizikë apo matematikë është nerd me siguri. Kjo ka qënë sfidë më vete, pjesa e veshjes. Jam rritur me idenë se për t’u bërë shkencëtar apo cfarëdolloj karriere në jetë duhet të jesh serioz, sidomos nëse je vajzë. Burrat edhe nëse bëjnë dicka jashtë etikës “Men will be men”, ndërkohë po ta bëjnë gocat, le vend për diskutime, për paragjykime, për gjykime. Jam munduar të mos e lejoj këtë gjë të më ndikojë, por që kam patur edhe unë momentet e mia që kam menduar që nuk duhet të pres flokët, nuk duhet të mbaj tatuazhe. Një nga arsyet pse unë stepesha ti bëj ca gjëra është, sepse nuk kisha parë më mirë, aq dija dhe mendoja që duhet të lë stilin tim, preferencat e mia dhe duhet t’i sakrifikoj për të qënë pjesë e kornizave. Pastaj shkova te CERN dhe pashë që njerzit gjëja e fundit që shikonin ishte se si ti dukeshe. Kishte persona që vinin me rroba shtëpie, kishte vajza që vinin shumë të mbajtura, kishte vajza me tatuazhe, me flokë rozë, blu, të kuqe, djem me piercing apo tatuazhe; të gjitha këto stereotipe që nuk lejoheshin në shkencë, ti shkon dhe i shikon në vendin më të përparuar të shkencës. Aty mendova ‘kot sa e kam frenuar veten’.
Është gjë shumë e mirë që nga CERN apo shkolla të tjera verore ti merr këtë lloj eksperience apo mësim nëse mund ta quajmë. Modelet e mira janë shumë të nevojshme dhe ne kur flasim për fuqizimin e vajzave dhe grave flasim pikërisht për promovimin e këtyre modeleve të mira, që njerzit jo vetëm të asociohen por të thonë që kjo gjë bëhet, kjo gjë është e pranueshme dhe mund ta përdorin edhe si argument për atë pjesë të shoqërisë që është ende peng e mentaliteteve të vjetra të vendosura në një kohë ku barazia artikulohej.
Unë kam pasur edhe këtë idenë që nëse për tu bërë shkencëtare më duhet të heq këtë pjesë të vetes, atëherë unë do zgjedh të mos jem, në sensin që do bëj aq sa mund të bëj duke qënë vetvetja. Mendoj se shkenca është si arti, nuk duhet të ndahen. Idea është që persona që duken si unë, që kanë tatuazhe apo duken ndryshe nga ‘normalja’ duhet të shkojnë në arte. Apo edhe ideja që kur vishesh kështu (me T-shirt) nuk je serioz. Se cfarë bën në përditshmërinë tënde është shumë personale.
Ajo që unë dua të theksoj është se shkenca nuk i përket vetëm një kategorie njerëzish, shkenca është e të gjithëve, ashtu sikurse është arti i të gjithëve. Këtë duhet të mësojmë herët apo vonë. Këtu lidhemi edhe me pyetjen time të fundit: Cilat janë dy mesazhet për dy target grupeve të ndryshme? Një janë prindërit e bashkëmoshatareve apo vajzave më të reja nga ty, të cilat duan të kenë një rrugëtim në shkencë. E dyta për bashkëmoshataret e tua, një mesazh që ti do t’ua transmetosh patjetër.
Duhet një mesazh që të mos i cënojë palët. Moshatarëve të mi, por sidomos vajzave, dua ti them që atë që ti ndjen dhe që e di që është e mirë për ty thjesht duhet ta bësh. Sidomos nëse kjo është të ndjekësh shkencën, sepse që të bëhesh shkencëtar nuk do të thotë të kesh lindur gjeni. Të jesh gjeni ështe dicka e rralle, jo të gjithë ata që janë në shkencë janë gjeni, aty ka vend për të gjithë. Edhe nëse ti mendon se je shumë pak e mirë në atë që bën, edhe ajo pak mjafton për të gjetur vendin tënd, sepse ka realisht njerëz që ta kanë nevojën. Edhe një person që është më i mirë, do të ketë nevojë për dikë tjetër që bën disa punë pak më të lehta edhe kështu shkon zinxhir. Paragjykimet e lagjes dhe komshinjve mos i merrni parasysh, sepse paragjykimet në fund të ditës janë pasiguri që projektohen tek ti dhe nëse ti i le të bëhen realiteti yt, atëhere ke humbur. Ndërkohë për prindërit, i duam shumë kudo që janë. Ne si fëmijë e dimë shumë mirë që ata na duan të mirën, edhe kur duket sikur se kuptojmë thjeshtë e dimë dhe arrijmë ti kuptojmë më shume sec ata mendojnë. Thjesht, të paktën në këtë fushë të jetës, në drejtimin që vajza apo djali do, ka nevojë për mbështetjen ose për një fjalë të ngrohtë nga prindërit. Duhet ta lënë të lirë se ata do ta gjejnë veten. Në momentin që nuk ka kufizime nga prindërit, fëmija edhe sikur të gabojë prapë e gjen rrugën e tij, sepse është rritur në mënyrën e duhur.
Podcastin me Edesa Behaj mund ta dëgjoni këtu.