Pamjet e filmuara nga një dëshmitar okular tregojnë një person të armatosur që futet në një kishë të Dëshmitarëve të Jehovait në qytetin gjerman të Hamburgut.
Personi në video duket që ka vepruar i vetëm dhe pasi hyri në kishë nisi të vrasë të pranishmit që ishin aty. Deri më tani raportohet për të paktën 7 të vdekur. Mes tyre dyshohet të jetë dhe autori i masakrës, që gazeta Bild e identifikon si Philipp F., 35 vjeç. Të paktën 8 persona mbetën të plagosur nga të shtënat në qytetin verior të Gjermanisë.
“Në fillim nuk e kuptova se çfarë po ndodhte. Më pas e filmova me celular dhe kuptova se dikush po qëllonte mbi dëshmitarët e Jehovait dhe ndërsa po e filmoja. Në fillim mendova se ishte qesharake, sepse mendova se ndoshta një adoleshent po qëllonte me armë gjahu. Por kur kuptova se njerëzit po vriteshin dhe plagoseshin rëndë, u ndjeva i shqetësuar, pikërisht këtu para derës sime në Altserdorf”.
“Hetimet për motivet e krimit po vazhdojnë”, tha policia në një mesazh në Twitter. Më herët, agjencia gjermane e lajmeve DPA, duke cituar një reporter në vendngjarje, tha se banorët në lagjen veriore të qytetit Alsterdorf kishin marrë paralajmërime në telefonat e tyre celularë për një situatë të rrezikshme për jetën.
Pamjet televizive treguan dhjetëra makina policie, si dhe makina zjarrfikëse që bllokuan rrugët dhe disa njerëz, të mbështjellë me batanije, duke u drejtuar nga punonjës të shërbimit të urgjencës në një autobus.
“Dëgjuam të shtëna. Ka pasur 12 të shtëna të vazhdueshme”, u tha gazetarëve një dëshmitar. Gjermania është tronditur nga një numër i konsiderueshëm të shtënave në vitet e fundit. Në shkurt 2020, një person i armatosur me lidhje të dyshuara me të djathtën ekstreme qëlloi për vdekje 9 persona, përfshirë emigrantë nga Turqia, në qytetin perëndimor të Hanau, përpara se të vriste veten dhe nënën e tij. Në tetor 2019, një person i armatosur vrau dy persona kur hapi zjarr jashtë një sinagoge në qytetin lindor të Halle.