Geri Nevil nuk mendon se Arsenali do të arrijë ta fitojë titullin e Premier Ligës, pavarësisht se “Topçinjtë” kryesojnë +8 pikë nga vendi i dytë, Mançester Siti.
Por superkompjuteri mendon të kundërtën dhe simulimi më shumë se 100 mijë herë i rezultateve të pjesës së mbetur të sezonit, sheh kampione skuadrën e Mikel Artetës, +6 pikë nga vendi i dytë.
Londinezët, të cilët në 18 javët e deritanishme kanë grumbulluar 47 pikë, pritet që ta mbyllin sezonin me 87.4 pikë, ndërsa rivalët e tyre kryesorë, kampionët në fuqi të Sitit, parashikohet të arrijnë 81.4 pikë.
Por ish-mbrojtësi i Junajtid, Geri Nevil, tha se ata jo vetëm që nuk do të shpallen kampionë, por “Djajtë” të cilët renditen 9 pikë pas tyre, do të arrijnë që t’i parakalojnë në fund: “Jo, ata nuk do ta fitojnë kampionatin.
Por unë thashë edhe që Lestëri nuk do ta fitonte gjithashtu. Titullin do ta fitojë Mançester Siti dhe mendoj se Junajtid do të renditet i dyti. E di që kjo do të zemërojë tifozët e Arsenalit. Dhe unë do të preferoja që titullin ta fitonte Arsenali përpara Sitit. Do të doja sigurisht që ta fitonte Junajtid, por nuk mendoj se kjo do të ndodhë këtë sezon”.