19.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Festohet “Dita e Verës” në Korçë/ Besimtarët ortodoksë presin ardhjen e pranverës

Qindra qytetarë korçarë kanë festuar “Ditën e Verës” me ritualet e përhershme që kryejnë çdo fund shkurti, me të cilat mirëpresin stinën e pranverës.

Në qytetin e Korçës përveç 14 marsit që është festë zyrtare, dita e verës festohet edhe më 1 mars, çka bën që banorët një ditë para të ndezin zjarret dhe të organizohen me fqinjët e tyre para shtëpive për të pritur ardhjen e pranverës, duke përcjellë edhe urime me njëri-tjetrin.

Jo vetëm fëmijët por edhe të rriturit festojnë duke u mbledhur rreth zjarreve me miqtë e tyre, e duke e shoqëruar këtë festë edhe me rituale të tjera, siç është kapërcimi i zjarrit që simbolizon largimin e së keqes.

Organizime të tilla shërbejnë jo vetëm për tu bërë bashkë por edhe për tua transmetuar edhe brezave këtë traditë të hershme.

Disa prej zonjave korçare na tregojnë se çfarë gatuajnë në këtë ditë feste dhe detajet e pritjes së pranverës që shoqërojnë këtë festë pagane të trashëguar ndër breza.

Traditë është përgatitja e kulaçit, vendosja e veroreve dhe futja në shtëpi e një dege nga pema e thanës, të gjitha këto ritual bëhen për të sjellë sa më shumë shëndet e mbarësi për pjestarët e familjes.

Të shumtë kanë qënë korçarët që kanë festuar mbrëmjen e djeshme, madje kishte edhe nga ata që kishin ardhur enkas për këtë festë në Korçë, duke ditur atmosferën që krijohet në qytet.

Dita e Verës në Korçë ndryshe nga qytetet e tjera festohet edhe në datën 1 mars nga besimtarët ortodoksë, por pavarësisht kësaj, banorët tregojnë se kanë bashkëjetesë fetare shumë të mirë dhe bëhen të gjithë bashkë duke festuar të dyja datat e kësaj feste tradicionale.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x