37.5 C
Tirana
29 / 07 / 2026

Treni për në Bruksel që kalon nga Bukureshti dhe Shqipëria 2040

Biem dakord se ideja themelore apo narrativa kryesore e shtetit shqiptar në këtë moment është Shqipëria 2030 në Bashkimin Evropian. Të mendojmë për një moment se Shqipëria u anëtarësua sot në BE. Çfarë ndodh ditën tjetër?

E gjeta të udhës të konsultohem me historinë duke iu rikthyer pamjeve të 1 Janarit 2007 në Bukuresht të Rumanisë, kur Presidenti i kohës Traian Bashesku bashkë me Vitin e Ri uronte të gjithë popullin rumun në Piata Revolutei për ngjarjen madhore të anëtarësimit në Bashkimit Evropian. Në qytetet kryesore të Rumanisë, anëtarësimi në BE u festua me muzikë dhe shpresa të mëdha. Në intervistat e kohës qytetarët shpreheshin: “Një botë e re, më shumë para!”, “Do të bëhet pak më keq, pastaj do të bëhet shumë më mirë.”

Përpara se Rumania të anëtarësohej në BE, u ndërmorën dy hapa vendimtare nga Presidenti Bashesku; pavarësia e prokurorisë speciale DNA nën drejtimin fillestar të Monika Makovei, dhe dënimi i regjimit komunist nga Parlamenti. Pak nga pak filluan të goditeshin të paprekshmit, politikanë dhe biznesmenë, me procedime dhe arrestime. Megjithatë, pushteti i tyre ekonomik vijonte, dhe problemi i qytetarëve rumun vijoi edhe pas anëtarësimit në BE. 

Fazat në të cilat Rumania kaloi pas anëtarësimit në BE ishin:

1. Goditja serioze mbi produktet, pra paratë e korrupsionit dhe krimit. 

2. Kriza ekonomike pas ndalimit të këtij pushteti absolut ekonomik nga korrupsioni dhe krimi. 

3. Pas sjelljes si baron i Rumanisë, ekspozimit final si jo një hero i vërtetë i anti-korrupsionit, krizës ekonomike dhe emigracionit që kishte pushtuar vendin, vjen dorëheqja pa lavdi e Presidentit Bashesku dhe rrëzimi i qeverisë së tij për t’i hapur rrugë forcave opozitare.

4. Ardhja në pushtet e njerëzve jo-kompetent për shkak të mungesës së eksperiencës shtetërore. Qeveri të dobëta për nga stabiliteti politik, të cilat përdornin të njëjtat metoda të së kaluarës.

5. Vijimi i problemit ekonomik, pabarazisë sociale dhe emigracionit masiv. 

6. Një Rumani që nuk pranoi më të qeveriset me metodat e së kaluarës, duke sjellë një politikë reale nga një brez i ri që ka një standard shumë më të lartë kërkesash se prindërit e tyre. 

Si një vend ish-komunist i lindjes, në metodikë edhe trajektorja e Shqipërisë duket e ngjashme, pavarësisht se Rumania me shumë sakrificë arriti të ruajë industrinë e saj prodhuese për aq sa mundi, faktor kyç që i përshpejtoi pjesëmarrjen në union. 

Duhet thënë se, dy elementet kryesore të një shteti anëtar në BE janë shteti i së drejtës (rule of law) dhe prodhimi ekonomik (GDP). I pari, parakusht subjektiv në rezultate i cili forcohet më shumë pas anëtarësimit, ndërsa i dyti parakusht objektiv i cili duhet të jetë forcuar që para anëtarësimit. 

Problemi i Shqipërisë në tejzgjatjen e këtij udhëtimi, i një vendi të vogël pa industri prodhuese por vetëm shërbimi dhe kryesisht turizmi, është varësia nga kapitali si produkt i veprave kriminale, i cili deri tani po shërben me infuzion të sforcuar vetëm për plotësimin formal të kriterit ekonomik për anëtarësimin në BE. 

Por çfarë do të ndodhë pas anëtarësimit?

Me gjasë do të ndodhë shteti i së drejtës, nga ku do të vijë ndërprerja e varësisë ndaj këtij kapitali jo të ligjshëm. Por kjo, si në Rumani do të kushtojë një krizë ekonomike me përmasa shtetërore, pasi prodhimi i brendshëm kurrsesi nuk mund të rritet në mënyrë të menjëhershme, për shkak se popullsia do vijojë të jetë në letargjinë e vjetër dhe pa prodhimtari konkrete. Pra më e mira që mund të ndodhë, është një shpërthim i kontrolluar.

Për rrjedhojë e kësaj krize shtetërore, gjasat janë që bashkë me të do të vijojë rrëzimi i mazhorancës, decentralizimi, konfuzioni politik dhe ekspertimentet e pushtetit me njerëz të paprovuar dhe pa eksperiencë në drejtimin e shtetit, të cilët do të përdorin të njëjtat metoda të së kaluarës për shkak të paaftësisë. 

Në fund, në skenarin më optimist brezi i ri i lindur pas rrëzimit të komunizmit, duke mos parë objektivisht rrugë tjetër, do të aftësohet e do të refuzojë për shkaqe utilitariste përfundimisht përdorimin e metodave të së kaluarës. 

Kjo ishte në retrospektivë trajektorja e një vendi ballkanik ish-komunist me partnerë strategjikë BE dhe SHBA, dhe kjo është në perspektivë trajektorja e po një vendi ballkanik ish-komunist me partnerë strategjikë BE dhe SHBA. 

Një proces i vështirë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x