18.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

“Festa e Rakisë” në Boboshticë/ Një prej festave lokale më të veçanta organizuar nga Bashkia Korçë

Boboshtica është një ndër fshatrat e Korçës, që ende mban të gjallë traditën e prodhimit të rakisë së manit. Jo vetëm burrat por edhe gratë janë kthyer në mjeshtre të nxjerrjes së rakisë së manit që dallohet nga ngjyra e gjelbër e që sipas banorëve ka veti kurative të shumta. Vasilika Papathemistokli, banore e këtij fshati tregon se nxjerrja e rakisë është një traditë që ruhet këtu e mijëra vjet dhe se ky proces do një kujdes të veçantë.

“E kam traditë nga familja, se jam boboshtare e vjetër, jo e ardhur. Nxjerrjen e rakisë e kemi traditë familjare ndër breza, që nga gjyshja, mamaja dhe tani unë. Rakia e manit specifike ka që duhet të mblidhet e të mbahet në but druri, që të bëhet e mirë, të fermentohet në but druri, të mbahet në vend të freskët, mundësisht edhe i errët të jetë, mos e kapin rrezet e diellit. Të parët tanë thoshin se rakia e manit është ilaç,” shprehet Vasilika.

Banorët që kanë mbetur në fshat, nuk heqin dorë nga tradita e trashëguar ndër breza. Gatimet tradicionale të zonës dhe natyra e mrekullushme tërheqin vëmendjen e mjaft vizitorëve dhe turistëve.

“Boboshtica është fshat me tradita, me njerëz të mirë, me kulturë, kanë qënë shumë besimtarë. Tani janë larguar pothuajse të gjithë, kanë ngelur vetëm pak banorë këtu. Më vjen keq për këtë fakt, sepse jam lindur e rritur këtu. Boboshtica ka nevojë të promovohet edhe më shumë,” thotë Vasilika duke shtuar më tej se amvisat boboshtare kanë traditë edhe bërjen e zahireve, ashtu si në të gjithë juglindjen.

“Të gjitha amvisat bëjnë petka, trahan, oshafe e shumë gjëra të tjera. Bëjnë lakrorët me dy petë në saç, që janë traditë e Korçës. Çdo mik që na vjen në shtëpi, provon lakrorin, i cili nuk mungon asnjëherë.”

Manat shekullore identifikojnë Boboshticën dhe banorët e zonës janë zanatçinj të nxjerrjes së kësaj pije me shije të veçantë, por e njohur dhe për vetitë kurative.

“Rakia e manit në Boboshticë është e para në botë. Pse e para?! Nuk bëhet me kimikate, është bio. Mirë është që çdo njeri të ketë një shishe të vogël me raki mani. Boboshtica ka 1200 rrënjë mana të zeza, është vend i bekuar. Ne i mbledhim dhe nxjerrim rakinë. Vijnë nga Tirana, Durrësi, Fieri, Vlora e na e blejnë,” shprehet Theodhor Guna, një tjetër banor i fshatit.

“Boboshtica është formuar që në vitin 1840, kur kanë ardhur 17 familjet e para këtu, sepse më parë ka qënë pyll. Mesa mbaj mend unë nga gjyshërit e stërgjyshërit tradita e nxjerrjes së rakisë së manit, ka qënë, është dhe do të mbetet diçka e bukur. Mani është një pemë që nuk pranon as ilaçe, asgjë tjetër, rritet vetë, ne i mbledhim e prodhojmë rakinë,” na tregon një tjetër banor, Mihallaq Bambulla.

Bashkia e Korçës ka menduar ta kthejë në festë lokale, prodhimin e rakisë së manit, duke synuar promovimin e traditës dhe zhvillimin e turizmit lokal. Në festën e cila organizohet për të disatin vit radhazi nuk kanë munguar turistët dhe vizitorët.

Pjesë e kësaj feste ka qënë edhe një panair me gatime tradicionale të zonës dhe punime dore. Muzika korçare interpretuar nga këngëtarja Lazarela, ka shoqëruar gjithë të pranishmit, të cilët kanë shijuar festën këtë të shtunë.

Boboshtica ndodhet 7 km larg Korçës, një fshat më kulturë e tradita që vit pas viti po përfshihet në ofertat turistike të atyre që zgjedhin për pushime juglindjen, si një destinacion, ku duhet të qëndrosh patjetër.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x