Në Kosovë është një fenomen që përsëritet prej vitesh: qeveritë ndërrohen, gjithmonë premtojnë programe ekonomike, prodhim, investime, punësim, zhvillim të bujqësisë dhe vënie në funksion të pasurive natyrore. Kalon mandati dhe shumë nga këto zotime mbeten vetëm premtime. Dhe kështu ky avaz vazhdon, nga zgjedhjet në zgjedhje dhe nga një qeveri te tjetra.
Që nga paslufta, qeveritë nuk arritën ta kthejnë zhvillimin ekonomik në një drejtim të qëndrueshëm afatgjatë. Programe patëm, por zbatimi mbeti prapa premtimeve. Ekonomia mbeti shumë e varur nga importi, ndërsa prodhimi industrial nuk u fuqizua sa duhej. Keqmenaxhimi, korrupsioni dhe punësimet partiake e kanë dëmtuar vendin. Problemet në arsim e shëndetësi u bartën nga një qeveri te tjetra. Qytetarët dëgjonin për zhvillim, por shumë prej tyre zgjidhjen e kërkuan jashtë Kosovës. Kjo gjendje vazhdoi për rreth dy dekada dhe e shtoi pakënaqësinë ndaj qeverive të pasluftës.
Si pasojë e këtyre dështimeve dhe pakënaqësive, erdhi në pushtet partia aktuale, e cila gjithashtu premtoi ndryshim të madh dhe në vitin 2021 mori mbi 50 për qind të votave. I kritikoi qeveritë e kaluara për paaftësi, korrupsion dhe mungesë vizioni. Zotimet e saj krijuan bindjen se kishte edhe dijen, edhe planin për të vepruar ndryshe.
Premtoi ringritjen e Trepçës, zhvillimin e industrisë energjetike, shfrytëzimin e resurseve natyrore, sigurimet shëndetësore, Bankën Zhvillimore, Fondin Sovran dhe mbështetjen e prodhimit vendor. Premtime të mëdha, disa të përsëritura që nga koha kur ishte në opozitë.
Por afro gjashtë vjet nga ardhja e parë në pushtet, disa prej këtyre premtimeve e zotimeve vazhdojnë të mbeten vetëm në letër. Edhe më dëshpëruese është se për realizimin e tyre nuk po dëgjojmë as nga pozita, as nga opozita. Kemi ardhur në atë pikë sa do të gëzoheshim edhe vetëm të shihnim se puna ka filluar konkretisht. Ndërkohë, vëmendjen e marrin krizat e njëpasnjëshme. Kam bindjen se disa prej tyre edhe sajohen për ta zhvendosur debatin nga premtimet e pambajtura dhe paaftësia për të menaxhuar vendin.
Qeveritë e kaluara duhet të mbajnë përgjegjësi për gjendjen e krijuar në ekonomi. Por as qeveria aktuale nuk mund të vazhdojë ta masë punën e vet vetëm me dështimet e tyre. Erdhi për t’i ndryshuar ato. Nëse premtimet vazhdojnë të shtyhen dhe përgjegjësia të shmanget, qytetari ka të drejtë të pyesë çka ndryshoi.
Pastaj dëgjojmë mburrje me rritjen ekonomike. Por sa po rritet prodhimi dhe sa po përmirësohet jeta e familjeve? Rritja e vlerës në euro nga shtrenjtimi i çmimeve nuk do të thotë se kemi prodhuar më shumë. Kur të ardhurat rriten më ngadalë se çmimet, qytetari blen më pak. Nuk mund t’i kërkohet të ndihet më mirë vetëm sepse raporti paraqet një përqindje pozitive.
Në praktikë, do të duhej të kërkonim përgjegjësi edhe nga qytetarët, por ka një kohë që në shkrimet e mia as nuk i përmend. Pikërisht ata i mbajnë në jetë këto qeveri, sepse lidhen me partitë, i përkrahin me çdo kusht dhe ua arsyetojnë edhe dështimet. Ka edhe qytetarë që, nga dëshpërimi dhe humbja e besimit te kjo klasë politike, nuk dalin fare në zgjedhje. Pastaj është edhe një problem tjetër: të gjitha partitë e kësaj klase politike që i kemi pasur në pushtet kanë pasur mundësi të dëshmohen dhe asnjëra nuk na ka bindur se di dhe do ta rimëkëmbë vendin.
Të shpresojmë se këtë herë do të shohim realizim. Por pas gjithë këtyre viteve, pyetja nuk është më çka premton qeveria. Pyetja është çka realizoi dhe kush jep llogari për atë që nuk u bë. Deri kur programet ekonomike do të vlejnë për të fituar zgjedhjet, ndërsa mosrealizimi i tyre do të kalojë pa përgjegjësi?