Sipas raportit të fundit të Sekretariatit të Energjisë në Vjenë, Shqipëria vlerësohet si vendi i dytë në Europë për numrin e familjeve, në raport me popullsinë, që mbështeten me buxhet shtetëror për konsumin e energjisë elektrike
Ndërsa 1 tetori, dita e ndryshimit të faturimit të energjisë elektrike për konsumatorët mbi 800 kilovat, është afër, debati për numrin e familjeve që do të paguajnë këtë fashë energjie me çmim të rritur është ashpërsuar.
Familjet shqiptare kanë qenë në dijeni për faturimin me fasha duke filluar nga viti 2010, kur pagesa e energjisë elektrike bëhej për konsum deri në 300 kilovatorë harxhim me çmim 7,5 lekë për çdo kilovator dhe me çmim 13,7 lekë për çdo kilovator të harxhuar mbi këtë fashë.
Të dhënat historike mund të gjenden lehtësisht në faqen e Entit Rregullator të Energjisë. Edhe në raportin e këtij viti, të bërë të njohur pak ditë më parë, institucionet publike e kanë trajtuar numrin e familjeve që do të përballen me fashën e re të konsumit të energjisë elektrike.
Sipas të dhënave të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike OSHEE, të konfirmuara edhe nga Enti Rregullator, numri total i familjeve shqiptare që furnizohen nga tensioni 0.4 kilovolt është 1 milion e 90 mijë të tilla. Në vitin 2010 ky numër ka qenë shumë më i ulët. Në vitin 2009 për shembull, vetëm 22.6% e
konsumatorëve familjarë shpenzuan energji të faturuar mbi 300 kwh/muaj. Në këtë vit, është me rëndësi të theksohet fakti se 22% e konsumatorëve nuk konsumonin fare energji, pra faturoheshin me zero energji të konsumuar. Sipas raportit të ERE- s këtu bëjnë pjesë konsumatorët që kanë shtëpi verimi ose kanë ikur në emigracion etj.
Grafiku që tregon këtë shpërndarje është pjesë e raportit të mësipërm, të publikuar edhe nga drejtori i Departamentit të Zhvillimeve Strategjike në KESH sh.a.
Në vitin 2022 janë rreth 780 mijë familje që janë nën këtë tension, por më shumë se 1/3 e tyre, sipas deklarimeve zyrtare nuk janë rezidentë.
Pra, numri i familjeve që faturohen me zero energji të konsumuar, pra “off record” sikundër e quajnë specialistët është më i madh se në vitin 2009, edhe për shkak të ndryshimit të numrit të rezidentëve. Sipas raportit të fundit të ERE ky numër është sa 23 për qind e totalit të kontratave ligjore të OSHEE, ose afërsisht 241 mijë familje.
Një të dhënë interesante na jep raporti i fundit i Sekretariatit të Energjisë në Vjenë, i cili e vlerëson Shqipërinë si vendin e dytë në Europë për numrin e familjeve, në raport me popullsinë, që mbështeten me buxhet shtetëror për konsumin e energjisë elektrike. Janë rreth 213 mijë familje në Shqipëri, që kanë përfituar tërthorazi nga buxheti rreth 22,5 milionë euro subvencion të çmimit të energjisë deri në fund të gushtit.
Nëse i referohemi strukturës së konsumit të energjisë elektrike nga konsumatorët në Shqipëri, del se jo më shumë se 48 mijë familje konsumojnë mbi 800 kilovatorë në ditë, ndërsa pjesa më e madhe nuk e kalojnë këtë fashë.
Shqipëria, si edhe vendet e rajonit dhe të Europës ndodhen përballë një krize të paparë të rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Deri tani, për 12 muaj është shpenzuar rreth 400 milionë euro, duke blerë në treg energjinë e munguar.