6.5 C
Tirana
22 / 02 / 2026

Dhunuan një agjent policie dhe një qytetar gjatë protestës, nisin hetimet ndaj Flamur Nokës dhe Xhelal Mziut

Policia ka nisur hetimet ndaj deputetëve demokratë Flamur Noka dhe Xhelal Mziu, pasi gjatë protestës së 20 shkurtit të organizuar nga PD, ata dhunuan një agjent policie dhe një qytetar që e ngatërruan me polic civil. Ndaj tyre kanë bërë kallëzim personat e dhunuar, Krenar Metaj dhe Totem Toraj.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit F. N. dhe Xh. M., pasi ndaj tyre kanë kallëzuar shtetasit K. M. dhe T. T. se, më datë 20.02.2026, gjatë tubimit të zhvilluar nga subjekti politik Partia Demokratike, janë shtyrë dhe goditur prej tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Por ndërsa Krenar Metaj rezulton të jetë agjent i Komisariatit nr.1, Tetem Toraj në të kundërt, është një qytetar që ka një biznes privat, por që u përfshi rastësisht në konfliktin pranë Xhamisë së Namazgjasë me deputetët e Partisë Demokratike.

Toraj, i cili ka njohje dhe është bashkëfshatar i agjentit, e ka takuar rastësisht këtë të fundit pranë biznesit të tij dhe i ka folur për ta përshëndetur. Aty kanë qëndruar për disa momente duke folur me njëri-tjetrin, kur janë konstatuar nga deputetët PD-së, të cilët kanë nisur menjëherë t’i sulmojnë, fillimisht në mënyrë verbale dhe më pas edhe fizikisht.

Në momentin e konfliktit, Tetem Toraj, dallohet qartë që nuk është pjesë e konfliktit, por tenton të ndajë sherrin mes palëve.

Edhe në këtë pikë, deputetët vijojnë duke e shtyrë dhe goditur gjatë gjithë kohës.

Totem Toraj ka bërë kallëzim ndaj deputetit Flamur Noka para dy netësh, menjëherë pas incidentit.

Ai tha se ka pasur kontakt me deputetë të PD-së që mbrëmjen e 20 shkurtit në Komisariatin nr. 1, dhe u ka thënë që t’i kërkojnë falje publike, përndryshe do i kallëzonte penalisht. Sipas tij, të vetmen përgjigje që ka marrë, nga deputetët, ka qenë shprehja ironike se “je bërë VIP”.

Në këto kushte ka bërë kallëzim në polici, duke treguar rrethanat e ngjarjes, nga momenti i takimit me agjentin që e njihte, deri te sherri që tentoi të ndalonte dhe shtyrjet që Noka ka bërë ndaj tij. Ai thotë se nuk është polic, merret me punët e tij dhe nuk ka lidhje me asnjë parti politike. Më pas kallëzim ka bërë edhe efektivi Krenar Metaj.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x