6.5 C
Tirana
22 / 02 / 2026

Deri 80% e banorëve të rritur të Shqipërisë as agjërojnë dhe as mbajnë kreshmë

Nga Eduard Zaloshnja

Shqipëria është një rast unikal në shkallë botërore, madje në gjithë historinë e njerëzimit, si vendi në të cilin feja u ndalua me ligj për pothuaj çerek shekulli – nga viti 1967 deri më 1990.

Brezi që e ka përjetuar periudhën para se feja të ndalohej më 1967 përbën aktualisht 27.2% të banorëve në moshë madhore; brezi që u formua gjatë periudhës së ateizmit shtetëror përbën 40.1% të banorëve në moshë madhore; dhe brezi që u formua mbas rikthimit të lirisë së besimit përbën 32.7% të banorëve në moshë madhore.

Nga një sondazh rigoroz që drejtova vjet në terren (me mbështetjen e fondacionit gjerman Konrad Adenauer), rezultoi se vetëm 22.1% e banorëve të rritur të Shqipërisë agjërojnë ose mbajnë kreshmë rregullisht (marzhi i gabimit statistikor të sondazhit për këtë përqindje: +/-2.1%).

Brezi i vjetër (65 vjeç e sipër), i cili e ka përjetuar periudhën para se të ndalohej feja, ka përqindjen më të lartë të atyre që shkojnë të paktën një herë në muaj në kishë/xhami/teqe/etj. (23.5%), ndërsa brezi i mesëm (40-64 vjeç), i cili u formua gjatë asaj periudhe, ka përqindjen më të ulët (19%).

Pothuaj gjysma e atyre që nuk besojnë në asnjë fe të caktuar shkojnë, megjithatë, në kishë/xhami/teqe/etj. me shpresën se një gjë e tillë mund t’i ndihmojë për problemet e tyre jetësore/shëndetësore, dhe mbi gjysma e jo-fetarëve bestytë që shkojnë në kishë/xhami/teqe/etj. deklarojnë se ekzistojnë raste kur kjo i ka ndihmuar ata ose të njohur të tyre…

Sidoqoftë, rezultati më domethënës i sondazhit të sipërcituar ishte ky: Vetëm 6.8% e të anketuarve mund të konsideroheshin thellësisht besimtarë të fesë që deklaronin se besonin, përcaktuar nga përgjigjet pozitive për të gjitha këto pyetje: shkonin të paktën një herë në javë në kishë/xhami/teqe/etj.; mendonin se gjërat në botë ndodhin nga vullneti i Zotit; mendonin se njeriu është krijesë e Zotit; mendonin se, me vdekjen e njeriut, shpirti i tij vazhdon të jetojë në botën e përtejme; mendonin se, në varësi të të mirave apo të këqijave që bën njeriu në jetë, shpirti i tij mund të shkojë në Parajsë ose në Ferr.

Artikujt më të kërkuar

1
0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x