23.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Deputeti ukrainas: Ushtria ruse si dinozaur, trup i madh, por shumë pak tru

Oleksiy Goncharenko është deputet në Parlamentin e Ukrainës, por prej muajsh ka zbritur në fushën e betejës, për të luftuar kundër ushtrisë ruse. Në një intervistë për A2 CNN, ai shprehet i sigurt për fitoren e ushtrisë ukrainase, siç po bën prej një muaji me territoret e çliruara në lindje dhe jug të vendit. Putinin e quan një tiran të çmendur, që di të bëjë veç propagandë dhe show mediatik, ndërsa ushtrinë ruse e quan një dinozaur, me trup të madh, por me tru shumë të vogël.

A2 CNN: Zoti Goncharenko, faleminderit për kohën tuaj dhe që jeni sot me ne!

Goncharenko: Faleminderit shumë!

A2 CNN: Kanë kaluar tashmë më shumë se 200 ditë luftë kundër ushtrisë ruse në Ukrainë. Dhe përgjatë javëve të fundit, është raportuar një progres i forcave ukrainase, në territoret e pushtuara nga rusët. Cila është sot situata atje?

Goncharenko: Ukraina nisi kundërofensivën një muaj më parë dhe rezultatet janë mahnitëse. Kemi çliruar mijëra kilometra katrorë territor, kemi çliruar fshatra, qindra fshatra dhe qytete të vogla, por edhe qytete të mëdha. Në lindje të vendit tonë, por edhe në jug të Ukrainës.

Ndaj, mund të them se kundërofensiva jonë është efektive, e suksesshme. Ne vazhdojmë të luftojmë, kryesisht pranë Khrakiv, që është qyteti i dytë më i madh në Ukrainë. Atje, ushtria ruse ka pësuar kolaps total, ata po largohen dhe ky është një rezultat shumë i mirë për ushtrinë tonë.

A2 CNN: Në mendimin tuaj, çfarë ka ndodhur me ushtrinë ruse? Pse po përkeqësohen në terren?

Goncharenko: Ushtria ruse është si dinozaurët. Është shumë e madhe, por me kokë shumë të vogël, me tru shumë shumë të vogël brenda. Ata nuk kanë komandantë të mirë, nuk kanë gjeneralë të mirë, ka të dhëna që Putin vetë po ndërhyn në planin ushtarak dhe misionet e ushtrisë. Po ashtu, ata nuk kanë moral. Për çfarë po luftojnë? Dua të them, ne ukrainasit po luftojmë për tokën tonë, po ata për çfarë po luftojnë? Ata nuk e kuptojnë luftën. Ndaj, të komanduar keq, duke mos pasur moral, duke mos pasur as armatime të mira, kjo i bën shumë të dobët. Po, ata janë të dobët dhe ne po e përdorim dobësinë e tyre dhe kjo po na jep mundësinë që të jemi të suksesshëm në fushëbetejë.

A2 CNN: A jeni të frikësuar se kjo është ajo që vetë Rusia thotë, një lëvizje taktike për t’u rigrupuar?

Goncharenko: Jemi dakord për atë lëvizje taktike, le t’i nxjerrim jashtë Ukrainës dhe le të rigrupohen në Rusi. Ky do të ishte opsioni më i mirë, për të gjithë. Sigurisht që ata po mundohen të mbulojnë dështimet e tyre, kjo është një lloj propagande dhe deklarata të tilla se po rigrupohen, se nuk po mposhten, nuk janë të vërteta, ata janë mposhtur dhe po largohen. Jo kudo, por në disa pjesë.

A2 CNN: Këto ditë, në territoret e pushtuara janë mbajtur referendume për t’iu bashkuar Rusisë. Bëhet fjalë për 4 rajone, Luhansk, Donjetsk, Kherson e Zaporizhia. A mendoni se tashmë këto territore, janë të humbura nga Ukraina?

Goncharenko: Jo. Ne do t’i çlirojmë këto territore, të gjitha ato që ju përmendët. Askush në botë nuk do t’i pranojë të ashtuquajturat referendume, janë referendume të turpshme. Nuk kanë asgjë të përbashkët me akte demokratike. Ndaj, ato nuk janë të humbura, Ukraina do ta rifitojë kontrollin edhe mbi këto territore.

A2 CNN: Si do t’i rimerrni në qoftë se ata votojnë “po”, për t’iu bashkuar Rusisë?

Goncharenko: Askush nuk po voton atje. Është thjesht spektakël, është thjesht show, asgjë tjetër. Nuk ka referendum, njerëzit janë të frikësuar, njerëzit i urrejnë rusët. Në territoret e pushtuara, ata lëvizin si “gorilla” dhe që qëllojnë në emër të rusëve. Kanë frikë të dalin natën në rrugë, ndaj nuk ka referendum, është një aneksim nga ana e Rusisë, por e them edhe njëherë, në fushëbetejë, do t’i çlirojmë territoret tona dhe gjithçka që Rusia po tenton të bëjë tani, do të dështojnë.

A2 CNN: A jeni të frikësuar se pasi ata të vendosin për t’iu bashkuar Rusisë, Putin mund t’i konsiderojë ato territore ruse dhe të përdorin forcë të shtuar, në qoftë se Ukraina ndërmerr operacione ushtarake në këto toka?

Goncharenko: Së pari, dua t’iu kërkoj, të mos e thoni më se atje ka njerëz që po votojnë për t’iu bashkuar Rusisë. Kjo është thjesht ajo që Putin pretendon, duke bërë spektakël. Askush nuk po voton atje. Askush atje nuk dëshiron t’i bashkohet Rusisë. Edhe në territoret që kemi çliruar, njerëzit po qajnë nga gëzimi, urojnë çliruesit ukrainas. Ndaj, mos e thoni më se dikush po voton atje. Askush nuk po voton.

A2 CNN: Ndoshta janë të detyruar të votojnë…

Goncharenko: Disa prej tyre janë të detyruar, disa të tjerë thjesht nuk e dinë kush janë ata, janë ushtarë, janë rusë, janë familjarë, janë gazetarë, nuk e di. Janë të detyruar, me armë në kokë. Edhe kjo ka ndodhur. Por, askush atje nuk po voton për t’iu bashkuar Rusisë. Asnjë në këto territore, ose më saktë shumica, sepse s’mund të them të gjithë, se mund të gjesh 1 ose 2 vetë, por shumica, nuk duan t’i bashkohen Rusisë. Duan të jetojnë në paqe në Ukrainë.

A2 CNN: Edhe një pyetje që besoj të gjithë ia kanë bërë vetes, ditët e javët e fundit. A mendoni se Putin është i aftë të përdorë armë nukleare?

Goncharenko: Nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetje. Nuk jam psikiatër. Kjo do të ishte lëvizje vetëvrasëse nga ana e Rusisë. Në qoftë se kjo ndodh, ky vend do të shkatërrohej e nuk do të ekzistonte më. Nga ana e tyre, kjo do të ishte vetëvrasje. Por nuk mund t’iu them çfarë Putin mund të bëjë apo jo. Ai është i çmendur. Është një tiran i çmendur. Dhe kjo na tregon se ne duhet ta ndalojmë sa më parë të jetë e mundur.

A2 CNN: Çfarë mendoni për fundin e luftës dhe kur mendoni se do të mbarojë?

Goncharenko: Fundin e luftës e di, ajo do jetë fitorja e luftës për Ukrainën. Derisa të çlirojmë plotësisht territoret tona. Kur mund të ndodhë? Këtë nuk mund ta them. Askush nuk e di. Nuk jam Nostradamusi dhe askush nuk është. Koha do ta tregojë. Por mund t’iu them me siguri se fundi do të jetë triumfues për Ukrainën.

A2 CNN: Edhe ne e shpresojmë këtë. Ju falënderoj për kohën tuaj zoti Goncharenko, shpresojmë t’iu shohim së shpejti dhe të sigurt!

Goncharenko: Ishte kënaqësi e vërtetë. Faleminderit.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x