Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Vodafone Albania kanë prezantuar versionin e ri të aplikacionit “Tirana ime 2.0”, i cili është rikonceptuar për t’iu përshtatur më mirë nevojave të qytetarëve. Ky version sjell një eksperiencë të përmirësuar në përdorimin e aplikacionit, krahas përditësimit dhe ridizenjimit të rubrikave ekzistuese si: raporto, paguaj parkimin, transporti, turizimi, trafiku, harta e mbjelljeve të pemëve, etj.
Në prezantimin e “Tirana Ime 2.0”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se me versionin e ri, çdo informacion do të jetë edhe më lehtësisht i aksesueshëm.
“Sot, qyteti ka më shumë dimensione, sesa thjesht mbledhja e plehrave, mbjelljen e pemëve apo një infrastrukturë që nuk funksionon. Qyteti ka dimensione të mëdha turistike sepse këtë vit kemi bumin më të madh turistik që ka parë ndonjëherë Tirana, edhe përpara Covid-19. Ende nuk ka mbaruar viti dhe në aeroportin e Rinasit po i afrohemi shifrës 7 milionë udhëtarë. Ende pa mbaruar viti, por në Tiranë kemi pasur më shumë vizitorë se sa banorë. Ende nuk ka mbaruar viti dhe hotelet e Tiranës jo vetëm janë plot, por edhe AirBnB, ose shërbimet e tjera alternative, po kalojnë çdo lloj kapaciteti. Mbërritja në këtë nivel kërkon gjithashtu që ne të bëjmë një ‘upgrade’ të marrëdhënies tone dhe aplikacioneve tona”, tha ai.