11.7 C
Tirana
17 / 05 / 2025

Çfarë duhet të bëjmë më 11 Maj

Nga Ledio Alite

Shpesh, na bie të ndeshemi me skeptikë të idesë për të shkuar drejt kutisë së votimit. Dhe kjo është përkthyer ndër vite në shifrat e pjesëmarrjes së zgjedhësve në votime. Një në dy shqiptarë, qeveri më vete, gjoja idealistë të pakompromis, që nuk kanë alternativë zgjedhjeje edhe sikur t’u vendosësh njëqind alternativa të reja në fletën e votimit. 

Por si është e mundur, që çdo gjëje i vihet një bisht në këtë vend? Të vjetrës po e po, mirëpo edhe të resë së paprovuar nuk lemë aludim pa i ngritur, dhe në fund të ditës, të gjithë sillen sipas interesit të tyre. Çfarë lloj hipokrizie është mbjellur në shoqërinë tonë që nuk po shkulet nga rrënjët e kalbura të së kaluarës?

Kjo situatë është e pakuptueshme për shoqëritë e emancipuara në perëndim. Nuk është parë e as dëgjuar se si revolta në ndonjë vend të ketë ardhur me mosveprim, kjo për arsyen e vetme se do të ekzistojë gjithmonë një pjesë e shoqërisë e cila është e lidhur me partitë dhe do të votojë, duke sjellë kështu pamundësinë e një bojkoti ligjërisht të kualifikueshëm të zgjedhjeve. Kështu që e vetmja zgjidhje, është të zgjedhësh. Edhe nëse nuk zgjedh, prapë ke zgjedhur automatikisht në mënyrë matematikore një alternativë. Kjo pasi një votë më pak apo një votë më shumë diku mund të bënte diferencën.

Për të drejtën e votës, njerëzit në kontinente të tjera janë persekutuar, janë torturuar, janë vrarë ndër vite. Por kjo, me sa duket nuk kuptohet në një shoqëri të yndyrosur e të përgjumur në mendime.

Mund të themi se zgjedhjet e 11 Majit janë zgjedhjet me më shumë larmishmëri në krahun opozitar, me një emancipim dhe në sipërmarrjen e secilëve për të guxuar. Të shfaqësh mosbesim te secila alternativë, do të thotë të sillesh si një fëmijë i traumatizuar nga shpërdorimi i demokracisë ndër vite, që hera herës është i vërtetë dhe i pamohueshëm. Por kjo s’do të thotë që shoqëria jonë të bëhet apatike, jo e pranishme në debate publike, inaktive, e përgjumur, e sëmurë, dhe në fund t’ua lë drejtimin e jetës së tyre njerëzve të cilët të zgjuar ose jo futen pa rradhë dhe marrin frerët e drejtimeve të braktisura nga ato njerëz të cilët vërtet u takon të drejtojnë. Nëse dikush kërkon ndryshim dhe zhvillim, mjafton të ngrihet të veprojë, të angazhohet, të shfrytëzojë të drejtën e pamohueshme kushtetuese për t’u shprehur e për t’u zgjedhur politikisht në cilëndo parti.

Është koha të kuptojmë rëndësinë e votës, e cila thelbin e saj ka pushtetin për të ndryshuar dhe vlen vetëm për katër vite, jo më shumë! Në një shoqëri të emancipuar, njerëzit guxojnë, njerëzit mendojnë të lirë me çdo kosto, bërtasin e zemërohen për atë që besojnë, sepse ajo çka i ndan nga një shoqëri injorante dhe sahanlëpirëse është ndërtimi i jetës sipas ideve dhe jo sipas oreksit. Kriza më e madhe në vendin tonë është ajo në të cilën askush nuk është dot vetëvetja. 

11 Maji është testi i vërtetë i ndërgjegjjes shoqërore shqiptare, për pjesëmarrje masive në votime. Nëse ky test nuk kalohet, për të shumtat zgjedhje rradhazi tashmë, do të thotë se shteti shqiptar si ide, si parim, si filozofi, de facto rrezikon të pushojë së ekzistuari, për arsyen e vetme sepse drejtimi i institucioneve kushtetuese do të bazohej në praktikisht asgjë.

— 

Tirana, Albania

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x