Aktori i njohur, Nicolas Cage, shfaqet i transformuar tërësisht në rolin e legjendës së NFL-it, John Madden.
Prime Video ka publikuar trailerin e ri të filmit “Madden”, ku krahas Cage protagonist është edhe Christian Bale. Filmi rrëfen jetën e John Madden, ish-trajnerit të famshëm të Oakland Raiders, i cili më vonë u bë një nga komentuesit më të dashur të futbollit amerikan dhe pati një rol kyç në zhvillimin e industrisë së videolojërave sportive. Madden u nda nga jeta në dhjetor të vitit 2021, në moshën 85-vjeçare.
I padallueshëm shfaqet edhe Christian Bale në rolin e ish-pronarit të Raiders, Al Davis, i cili ndërroi jetë në vitin 2011. Dy figurat e njohura patën një miqësi dhe bashkëpunim të ngushtë gjatë kohës kur Madden drejtonte skuadrën. Në këtë projekt marrin pjesë gjithashtu aktorët Kathryn Hahn, Sienna Miller, John Mulaney dhe Shane Gillis.
Filmi dokumenton udhëtimin e jashtëzakonshëm të John Madden krah mikut të tij të ngushtë, Al Davis, që nga bashkëpunimi i tyre te Raiders që çoi në fitoren e Super Bowl, e deri te momenti kur Madden u bë zëri më i njohur i futbollit amerikan dhe krijuesi i videolojës me famë botërore, Madden NFL.
Regjia dhe skenari i filmit mbajnë firmën e David O. Russell, i njohur për filma të suksesshëm si “The Fighter”, “American Hustle” dhe “Silver Linings Playbook”. Ky është filmi i parë i Russell që nga “Amsterdam” në vitin 2022.
“Madden” do të shfaqet në kinema të përzgjedhura më 11 nëntor, ndërsa do të jetë i disponueshëm globalisht në platformën Prime Video nga data 18 nëntor.