11.5 C
Tirana
27 / 04 / 2026

CEZ-DIA dhe lobimi në SHBA, nis sot gjyqi për dosjen ‘Meta’! Ish-presidenti kërkon që seanca të transmetohet live

Këtë të hënë nis gjyqi në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta në Gjykatën e Posaçme. Kreu i Partisë së Lirisë i ka kërkuar GJKKO-së që seancat gjyqësore ndaj tij, të transmetohen live për mediat.

“Në respekt të qytetarëve të cilëve u kam shërbyer me përkushtim dhe ndjenjë të thellë patriotizmi në detyrat më të larta shtetërore (President, Kryetar i Kuvendit dhe Kryeministër), i drejtohem GJKKO me kërkesën publike për të garantuar transmetimin e drejtpërdrejtë të të gjithë këtij procesi, nga seanca e parë, dhe deri në fund”, shkruan Meta në një postim në rrjetet sociale.

Presidenti i partisë së Lirisë, thotë se mediave duhet t’u garantohet sinjali i transmetimit live, duke theksuar se “Transparenca përpara qytetarëve shqiptarë dhe llogaridhënia është detyrim për çdo institucion dhe çdo funksionar publik.”

Ilir Meta ndodhet në paraburgim prej tetorit të vitit 2024, dhe SPAK e ka marrë të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, lidhur me aferën Cez-Dia dhe lobimin e LSI-së në SHBA. E pandehur është edhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, ndaj të cilës ka masë detyrim paraqitje.

Sipas Prokurorisë së Posaçme Meta dhe Kryemadhi përdorën një sërë skemash korruptive, influencën dhe pushtetin e tyre politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, për të pastruar paratë e korrupsioni dhe fshehën pasuri e nuk deklaruan shpenzime të konsiderueshme. Kur çështja u kalua për gjykim më 18 mars të këtij viti, Meta dhe Kryemadhi kërkuan pushimin e çështjes, me argumentin se nuk ekziston vepër penale, ose në alternative, rikthimin për hetime të mëtejshme.

Në seancën e sotme, gjykata pritet të shprehet nëse do të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar, për tre të pandehurit e tjerë, nënën e Monika Kryemadhit, Fatimen, dhe Ema Çokun, mikeshë e ish deputetes, të dyja të akuzuara për pastrim parash, dhe ish kreun e AKEP Pirro Xhixho, i pandehur për korrupsion.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x