35.6 C
Tirana
03 / 08 / 2026

Byth-më-Bythë

Nga Edison Ypi

Unë banor i fshatit Dreq, Bashkia Shejtan, unë që Atdhjeun e du aq fort sa s’lë miting pa e fëlliqur, flamur pa e përdhosur, shkabë pa e përgjakur, më ka zënë një hall i madh që frymën po ma merr.

Halli im ekstrem është se Bashkinë time Shejtan, të cilës fshati im Dreq i përket, po duan ta njehsojnë me Bashkinë Larg. Pra, dy bashkitë, Shejtan dhe Larg, që ishin afër dhe ngjitur, po duan t’i largojnë nga, sipas tyre, pozicioni i padobishëm dhe i turpshëm shqiptaresk byth-më-bythë.

Administrata shtetërore është modernizuar. Shumica e punëve kryhen me internet. Letrat me firma dhe vula po zhduken. Nëpunësi dhe hallexhiu pas pak nuk do kenë arsye t’ia dinë as emrin njëri-tjetrit, se për t’u takuar as bëhet fjalë.

Rrugët e reja, zgjerimi dhe asfaltimi i të vjetrave, autostradat, shtimi galopant i numrit të mjeteve motorike, dhe të tjera kollajllëqe, e kanë zvogëluar Shqipërinë. E kanë bërë sa një pjatë me groshë ku luga i arrin lehtësisht të gjitha kokrrat, sado larg të jenë brenda pjatës.

Kur rruga ishte e ngushtë dhe me gropa, Gazi69 i Degës që vinte të hidhte hekurat ishte e vetmja makinë, Bashkia Larg me fshatin tim Dreq ishin aq larg sa për të vajtur nga Larg në Dreq, ose anasjelltas, duhej të hipje në një autobus plot me të vjella dhe të merrje nga shtëpia për të ngrënë ca lëtyra mbështjellë me ZP.

Zvogëlimi dramatik hapësinor dhe kohor i vendit të shqipeve, pra, duhet të na bindë përfundimisht mua dhe bashkëfshatarët e mi për të mirën e transferimit të zyrave të pushtetit diku pak më tutje. Por afër. Të shumtën e rasteve më pak kilometra sa janë gishtat e duarve. Diku ku arrihet në më pak kohë se zgjat pirja e një kafeje.

Largimi i bashkive nga zerodistanca e turpshme byth-më-bythë është absolutisht dhe definitivitet një domosdoshmëri në çdo pikëpamje.

Por po ta shohësh pak më thellë, për ne katunarët është shumë më ndryshe.

Ne katunarët shqiptarë konservatorë të lindur, adhurues dhe respektues të proverbit: Moj kacolle ku na mblodhe, e duam gjithçka në atë distancë që prej shekujsh mbajmë njëri-tjetrin, afër, tepër afër, byth-më-bythë.

Refuzimi teatral dhe absurd i kryetarëve në ikje, kjo atavizmë e pështirë tranzicionale me gjuhë të drunjtë socrealiste, të fut krrupën, nuk ia vlen të konsiderohet.

Halli im dhe i bashkëfshatarëve të mi është se nuk ndahemi dot nga mentaliteti shekullor i distancës zero, ndejtjes strukur, ngjitur e ngjitur, afër e afër, byth- më-bythë.

Le të zgjerohen rrugët. Le të zvogëlohet Shqipëria. Ne haxhiqamilistët denbabaden duam edhe kafen, muhabetin, qarjen e hallit, mundësisht edhe lotët, të na i sjellë nëpunësi i korruptuar në tabaka ergjëndi.

Duhej të ndodhte e kundërta, por ja që sot edhe më fukarai nga ne katunarët e bashkive byth-më-bythë që ka shtëpinë e vet, makinën e vet, Card-ën e vet, aq na pëlqen byth-më-bytha, sa duam: secili bankën e vet, secili ambulancën e vet, secili spitalin e vet, rrugën e vet, autostradën e vet, aeroportin e vet, aeroplanin e vet, gruan e vet, kjo e fundit jo fort e sigurtë. E vetmja gjë që katunaria shqiptare nuk e do të vetën, është bytha e tjetrit sa më afër.

Mirpo drejt strukjes, mbylljes, nuk dimë të ndalemi. Kemi frikë. Jemi mosbesues ndaj ndryshimeve të befta.

Si ka thënë dramaturgu me nam Çajupi në komedinë e vet tmerruese Makbethi:

“Më mirë vuajmë të zezat që po kemi, sesa të hidhemi te tmerre që s’i dimë”.

Ishim mirë byth-më bythë me Bashkinë e vjetër:

Ishim të gjithë “tanët”.

Kryetari, një farefisi ynë, xhanan burrë.

Nënkryetari, baxhanak me një dhëndrin tonë, kunat me njërin që e kemi krushqi.

Nëpunës e specialistë, krahun në qafë, gishtin në fundshpinë, ishim të gjithë miq e shokë që mblidheshim fshatçe e flisnim proletarçe. Kafe e muhabet, dreka, darka, si n’harradoz me të gjithë personelin e Bashkisë së vjetër: Zotin Çfurku, Zotin Sqepari, Zonjën Skilja, Zotin Kazma, Zonjushën Sëpata, Zotin Brisku, Zotin Tritoli.

S’do mend që do bëhet si e kanë menduar ata lart, ligjbërësit, specialistët, ekspertët.

Ne katunarët këtu poshtë, ne që me konservatorizmin legjendar që na karakterizon, do bëjmë çmos të mos tundemi nga istikami i butë, i këndshëm dhe i kollajshëm i byth-më-bythës, nuk do ngurrojmë që për të mirën e Atdheut, ta japim ndihmesën tonë duke këmbyer distancën e hidhur byth-më-bythë të bashkive, me afërsinë e ëmbël mes dy vërrave të femrës.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x