20.5 C
Tirana
08 / 09 / 2024

Biden iu shpjegon amerikanëve tërheqjen nga gara: Pasoj stafetën tek një brez i ri për të bashkuar vendin

Presidenti Joe Biden tha se po ia kalon stafetën një brezi të ri, ndërsa u shpjegoi amerikanëve largimin e tij të papritur nga gara presidenciale gjatë një fjalimi mbrëmjen e së mërkurës nga Shtëpia e Bardhë pas një karriere politike mbi 50-vjeçare.

81-vjeçari Biden, hodhi poshtë trysninë disa javore të demokratëve për t’u tërhequr nga gara për Shtëpinë e Bardhë pas debatit të 27 qershorit. Gjatë një interviste pas debatit ai tha se vetëm “Zoti i Plotfuqishëm” mund ta bindë të tërhiqet nga gara.

“Kam vendosur se mënyra më e mirë është t’ia kaloj stafetën një brezi të ri. Kjo është mënyra më e mirë për të bashkuar vendin tonë”, tha Presidenti Biden në fjalimin drejtuar vendit.

Presidenti Biden e mori vendimin disa ditë pasi shqyrtoi parashikimet e sondazheve se ai mund të humbiste përballë republikanit Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit dhe të dëmtonte edhe shanset e fitores së zgjedhjeve të ligjvënësve demokratë.

“Gjëja e madhe e Amerikës është se këtu nuk sundojnë mbretërit dhe diktatorët. Populli sundon. Historia është në duart tuaja. Fuqia është në duart tuaja. Ideja e Amerikës është në duart tuaja”, tha Presidenti Biden ndërsa iu drejtua popullit amerikan.

Demokrati Biden është presidenti i parë në detyrë që nuk kërkon një mandat të dytë që nga viti 1968 kur Presidenti Lyndon Johnson, nën kritika të ashpra për trajtimin e Luftës në Vietnam, u tërhoq papritur nga fushata më 31 mars.

Zoti Biden i bashkohet listës së presidentëve James K. Polk, James Buchanan, Rutherford B. Hayes, Calvin Coolidge dhe Harry Truman që vendosën të mos kandidojnë për një mandat të dytë.

Megjithatë, që kur ai mori vendimin për t’u tërhequr nga gara për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, demokratët kanë shprehur mbështetjen për të, duke vlerësuar karakterin dhe punën e tij si president, citon VOA.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x