Nga Flutura Açka
Shënimi i orës 12.00
10.
Fushata jonë zgjedhore, plot tridhjetëvjeçare, i ka tashmë të qarta ndarjet e mëdha mes partive të mëdha. Sinoret kanë qenë të paracaktuara: PD-PS.
E ndërtuar prej narrativës politike të dy partive kryesore dhe e mveshur me një kujdes djallëzor të medias sonë thuajse e akaparuar prej tyre dhe aspak e pavarur nga politika e paraja (që e kollondris politika), duke e kthyer atë në solidaren më të madhe të bifurkacionit tonë politik, kjo ndarje tashmë nuk çon me ujë te interesat e shqiptarëve dhe e ka varfëruar mjaftueshëm politikën tonë.
Ky arketip politik ka kohë që është kështu dhe eksperimentet deri tani në tridhjetë vite kanë dështuar të gjitha. Edhe një LSI që rezistoi nuk ihste veçse një qelepirëse me të dyja.
Megjithëse të gjithë aktorët bashkë që kanë instaluar këtë bifirkacion politik, e kanë përligjur me paundësinë e forcave të reja për të motivuar lëvizje më të mëdha, e vërteta është tjetër gjë.
Interesat e partive të reja, shpesh janë shitur nga ideuesit e tyre ose nga interesat e ngushta të grupit, duke i kthyer ato në satelite mjerane të planeteve politike, që kanë diktuar orbitën e politikës dhe demokacisë sonë.
Dhe demi ështe plot tridhjetëvjeçar. Mjafton të shohësh visoren me emrin Tiranë, produktin me të qartë të bifurkacionit tonë politik. Tirana është fabrika që i mban në këmbë këto konstrukte, Tirana edhe do t’i shembë.
Shpejt. Prej realitetit të ri, të cilin vetëm të verbërit nuk e shohin. Partitë e reja, TË REJA, tani janë realitet.
Të vendosur të dy përballë njëri-tjetrit dhe me një egocentrizëm perfid, Rama dhe Berisha ua kanë pushtuar fushatën elektorale shqiptarëve. Ata duhet të jene në qendër, dhe vetëm ata. Të tjerët janë hije.
Njëri, Rama, në pushtet, ashtu siç mendon, ashtu edhe sillet, sikurse ka bërë gjithnjë. Paramendoni një moment një PS pa Ramën! Një ruzare e shkokluar.
Tjetri, Berisha, në opozitë, me vuajtjen që të legjetimohet deri në fund me absolutizëm të plotë në PD. Ai vazhdon edhe më i vendosur betejën e tij, edhe pse harta e PD-së sot nuk ka më lidhje me territorin e saj, shformim që ndodhi edhe, ose në pjesën më të madhe, prej këtij egocentrizmi politik opozitar.
Të dy palët po iu imponohen gati dhundshëm shqiptarëve, duke shuar çdo zë tjetër që guxon të prishë skakierën politike të përcaktuar prej tyre. Arsye pse secili prej tyre, më vete dhe bashkë, i skajojnë me përçudnim forcat e reja.
Njëri me tallje të hapura, duke i quajtur variacione të «kënatës» së tharë e me pamje moçalore, fjalor i ardhur nga një mendje e lodhur peizazhore politike dhe tjetri duke i shpallur armiq të hapur të kinsemundësive të saj për pushtet, me retorikën e thjeshtësimit deri në lodhje të konceptit elementar të demokraciisë: lirisë.
Padyshim, si kurrë më parë, partitë e reja shqiptare janë faktor dhe ndryshimin do të duhet ta fillojnë nga Tirana. 11 maji do të jetë testi i tyre i madh, por edhe testi i demokracisë shqiptare.
Unë jam prej atyre që besoj te partitë e reja dhe besoj te ndryshimi që do të sjellin ato. Ndryshim i ngadaltë, i sigurtë.
Ne nuk kemi asnjë mundësi tjetër të shpëtojmë nga mantra bipartizane shqiptare dhe të ndreqim sadopak visoren tonë politike, veç paradigmës: Bëji partitë e vogla të mëdha!
- “Mikja ime Giorgia na kujtoi se të gjitha rrugët të çojnë në Romë”/ Mediat italiane komentojnë gjunjëzimim e Ramës para Melonit - 11/07/2025
- “As deputet e as ministër, vetëm…”, burgu i kushton shtrenjtë Ervin Salianjit - 11/07/2025
- “Të ndërtojmë Qendrën e Monitorimit të Ndërtimeve”, Rama-kompanive të ndërtimit: Kantieret me kamera online 24 orë dhe GPS - 11/07/2025