Në prag të seancës ku do votohet anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese, kryetari demokrat, Sali Berisha, tha se asnjë votë nuk duhet të shkojë për Ardian Dvoranin, të cilin e quajti simbol të zi të korrupsionit.
“Sot, në rendin e ditës, është votimi për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese, i simbolit më të nxirë të korrupsionit në drejtësinë shqiptare. Ky quhet Ardian Dvorani. Ai është zyrtarisht i akuzuar nga DSIK se ka fshehur pasurinë. Në vetingun e Ardian Dvoranit, është dëshmuar 100 përqind se sa fals është ky proces.
Ardian Dvorani është gjykatësi që ka marrë në vitin 2002, apartament banimi nga Albtelekomi, pa asnjë kontratë. Në dokumente, apartamenti figuron 93 metra. Sipërfaqja e apartamentit është 120 metër katrorë.
Apartamenti i Dvoranit nuk figuron në hipotekë me emrin e Dvoranit. E kuptoni mafian e poshtër? Apartamenti i Dvoranit paguhet nga Albtelekomi me 17 mijë dollarë si dhuratë.
Por çfarë bën Dvorani? Ai merr pjesë në 9 procese gjyqësore, mes Albtelekomit dhe institucioneve shtetërore shqiptare. Bashkë me tezakun e tij. Në shpërblim të pagesës që i kanë bërë për apartamentin.
Ka një rast tjetër, ka një prokuror tjetër, i cili një garsionerë, 20 metër katrorë, e blen me dokumente, kredi dhe të gjitha dhe ia kalon prindërve. Dhe prindërit marrin një kredi duke vendosur kolateral këtë 20 metër katrorë. Dhe ky jurist i shquar ndëshkohet nga vetorët, të cilët janë të zhytur në krim.
Ju e dini besoj se Sanxhaktari është bashkëshorti i Pasmaçiut që u arrestua me 2 ton drogë, të cilën Ardi Veliu ia fshehu. Këto nuk fshihen. Nuk fshihen falsifikimet që ka bërë Pamela. Për të kapur kriteret, motra e Belindës falsifikon notat e universitetit. Ajo bën vetingun e gjykatësve. Prisni kur të propozohet për çmim ndërkombëtar si Dvorani,” tha Berisha.
“Thuhet se një marrëveshje ishte realizuar, por unë ftoj çdo deputet, të mos bëjë gabimin e tmerrshëm të votojë këtë person. Ky e ka vendin në burg, për fshehjen e pasurisë, për gjykimet në konflikt interesi dhe shumë veprime të tjera. Për shkeljen e Kushtetutës kur ishte kryetar i KED-it. Të faktuara nga Komisioni i Venecias. Dhe ky sillet sot për ta votuar për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Pas tij është ajo tjetra, Selimi, e majtë është edhe ajo. Këta e kanë bërë seksion partie drejtësinë. Atë e kanë lënë në bankinë, kurse në front kanë nxjerrë Dvoranin. Duhet të qëndrojmë me të gjitha mundësitë tona dhe të qartësojmë shqiptarët se çfarë po ndodh me ne,” theksoi Berisha.