Belgjika do të njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës, duke u rreshtuar krah disa vendeve që kanë paralajmëruar njohjen gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila do të mbahet nga 9 deri më 23 shtator në Nju Jork.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Jashtëm belg, Maksim Prevot, përmes një postimi në platformën “X”, ku njoftoi se njohja zyrtare do të ndodhë gjatë seancës në OKB. Ai paralajmëroi gjithashtu vendosjen e sanksioneve të ashpra ndaj qeverisë izraelite.
Në fund të muajit korrik, edhe Franca zyrtare deklaroi se do ta njohë Palestinën gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ndërkohë, vende të tjera perëndimore si Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Malta kanë sinjalizuar gjithashtu gatishmërinë për ta njohur shtetin palestinez.
Gjatë vitit 2024, njohjen zyrtare të Palestinës e kanë bërë tashmë Spanja, Irlanda, Norvegjia dhe Armenia. Aktualisht, mbi 140 nga 193 shtetet anëtare të OKB-së e njohin Palestinën si shtet të pavarur. Që nga viti 2012, Palestina mban statusin e “shtetit vëzhgues jo-anëtar” në OKB.
Suedia ishte vendi i parë anëtar i Bashkimit Evropian që njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës, më 30 tetor 2014. Ndërkohë, Islanda — që nuk është pjesë e BE-së — e njohu Palestinën që në vitin 2011.
Gjithashtu, dhjetë vende anëtare të G20 e kanë njohur tashmë Palestinën, përfshirë: Argjentinën, Brazilin, Kinën, Indinë, Indonezinë, Meksikën, Rusinë, Arabinë Saudite, Afrikën e Jugut dhe Turqinë.
- VIDEO/ Celibashi: Ja si do të funksionojë numërimi i votave në Tepelenë me Inteligjencë Artificiale - 09/11/2025
- Ervin Demo votoi në Berat: Ditë e rëndësishme për të ardhmen e Bashkisë - 09/11/2025
- “Njësoj si Modriç”/ Prestigjozja italiane ngre ne qiell Ramadanin: Mesfushori shqiptar dominon Serie A për kilometrat në fushë - 09/11/2025