2.5 C
Tirana
30 / 03 / 2026

BE paralajmëron për luftë civile në Iran/ Italia, Spanja, Franca dhe Holanda po dërgojnë asete ushtarake në Qipro

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas, paralajmëroi nga Brukseli se vendet e rajonit druhen se konflikti i hapur i Teheranit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin mund të përshkallëzojë në luftë civile brenda Iranit.

“Kur bisedojmë me vendet e rajonit, edhe ata janë të shqetësuar për luftëra civile brenda Iranit, për shkak të udhëheqjes së regjimit dhe asaj që po ndodh atje. Irani po eksporton luftën, duke u përpjekur ta zgjerojë atë në sa më shumë vende që të mundet për të mbjellë kaos”, tha Kaja Kallas – shefja e politikës së jashtme të BE-së.

Përtej krizës politike, Brukseli po monitoron me alarm sigurinë detare. Kallas konfirmoi se asete detare europiane janë dërguar në rajon për të mbrojtur rrugët tregtare, veçanërisht Ngushticën e Hormuzit, e cila mbetet jetike për tregtinë globale.

“Siguria e Ngushticës së Hormuzit dhe e rrugëve tregtare është jashtëzakonisht e rëndësishme për Bashkimin Europian, por edhe për vendet e Gjirit. Ne po përpiqemi t’i mbajmë këto rrugë të hapura”, tha Kaja Kallas – shefja e politikës së jashtme të BE-së.

Italia, Spanja, Franca dhe Holanda po koordinojnë dërgimin e aseteve ushtarake në Qipro, ka bërë me dije ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, ndërsa ngriti alarmin për rritjen e pajustifikuar të çmimeve si pasojë e bllokadës detare.

“Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, një kalim jetik për furnizimet globale të energjisë, po shkakton shqetësim. Çmimet e naftës dhe gazit janë rritur ndjeshëm. Primet e sigurimit në rrugët detare janë rritur dhe çmimet e konsumit po ashtu, ndonjëherë në mënyrë të pajustifikuar”, tha Antonio Tajani – ministër i jashtëm i Italisë.

Ndërkohë, sekretari britanik i Mbrojtjes, Healey, ndodhet në bazën e Mbretërisë së Bashkuar në Qipro, pasi u shënjestrua me dron nga Irani.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x