Avokati Naim Hasani ka paralajmëruar për pasojat e rënda që sjell thyerja e vizës për në Mbretërinë e Bashkuar. Në një lidhje me Dita Jonë në A2 CNN, ai theksoi se shkeljet e rregullave të emigracionit mund të çojnë në ndalim hyrjeje deri në 10 vite.
Gjatë kësaj periudhe, çdo aplikim për vizë, qoftë si vizitor apo për qëllime biznesi, do të refuzohet automatikisht.
“Thyerja e vizave ka pasoja shumë të rënda se nëse vjen në mënyrë të ligjshme e thyen vizën dhe nëse kthehesh forcërisht në Shqipëri, nuk mund të hysh në Britani për 10 vite. Në çdo aplikim që do bësh, nëse ke hyrë ilegalisht dhe do të vish si vizitor ose biznes, vizat të refuzohen për 10 vite”, tha ai në Dita Jonë në A2 CNN.
Avoakti Hasani shpjegon se situata ndryshon nëse personi largohet vullnetarisht apo në rast se një qytetar krijon një marrëdhënie me një shtetas britanik dhe kthehet në Shqipëri.
“Nëse vjen në Britani thyen vizën dhe krijon një marrëdhënie me qytetar britanik dhe kthehesh vullnetarisht me biletën tënde dhe do të aplikosh për vizë martese duhet të presësh 12 muaj. Nëse shteti të kthen me forcë edhe pse kthehesh për t’u martuar, pengesa është shumë e madhe minimumi 2 vite”, tha ai në Dita Jonë.
Sipas tij, personat në moshë të mesme, të cilët kanë marrëdhënie të qëndrueshme pune dhe stabilitet ekonomik, e kanë më të lehtë të pajisen me vizë për në Britani, pasi plotësojnë kriteret e kërkuara nga autoritetet britanike.