30.5 C
Tirana
02 / 08 / 2025
No menu items!

Alexander Graham Bell, djali dhe bashkëshorti i dy grave shurdhe, që shpiku telefonin

Nga Albert Vataj

Duhej një ironi e lartë e fatit, ose ndoshta një rrethanë e mirësajuar nga nevoja më njerëzore për t’u dëgjuar, që të lindte një njeri si Alexander Graham Bell. Ishte biri i një nëne të shurdhër. U bë bashkëshort i një gruaje të shurdhër. Dhe e gjithë jeta e tij do të kthente heshtjen e tyre në nismën e një revolucioni të ri: komunikimin përmes zërit, përmes distancës, përmes shpikjes që do të ndryshonte botën, telefonin.

Ky shpikës skocez nuk shpiku telefonin për famë, as për lavdi, por si përgjigje ndaj një plagë intime. Ishte një djalë që donte t’i fliste nënës. Një burrë që donte të prekte shpirtin e gruas përtej murit të heshtjes. Dhe u bë zëri i tyre.

Një shpikës i lindur nga dhembja
Alexander Graham Bell lindi më 3 mars 1847 në Edinburg të Skocisë. Që në vegjëli, jeta e tij u gjurmua nga zërat – dhe mungesa e tyre. Babai i tij, Alexander Melville Bell, ishte një studiues i gjuhës dhe shpikës i një alfabeti fonetik për personat me probleme dëgjimi. Familja Bell ishte një qendër graviteti për studimin e tingullit, zërit dhe mënyrës se si ai artikulohet.

Por ajo që e ktheu pasionin në mision ishte drama personale: nëna e tij, Eliza Grace Symonds, ishte e shurdhër. Edhe gruaja e tij, Mabel Hubbard, humbi dëgjimin si pasojë e një sëmundjeje në fëmijëri. Ky fat e ktheu Bell-in në një rebel të heshtjes. Ai nuk u pajtua me kufijtë biologjikë të të dëgjuarit. Ai vendosi t’i kapërcente ata – me shkencë dhe me dashuri.

Zëri që udhëtoi për herë të parë
Gjatë kërkimeve të tij, Bell studioi punën e shkencëtarit gjerman Hermann von Helmholtz mbi përçimin e tingullit. U mahnit nga fonautografi, një pajisje që vizatonte valët zanore mbi xham të tymosur, dhe nisi të eksperimentonte me mënyrën se si ato valë mund të shndërroheshin në sinjale elektrike dhe më pas sërish në zë të dëgjueshëm.

Kjo ide, e thjeshtë në dukje, por e revolucionare për kohën, çoi në patentimin e parë për telefonin praktik më 7 mars 1876. Vetëm pak ditë më pas, më 10 mars, Bell i foli ndihmësit të tij, Thomas Watson:
“Zoti Watson, eja këtu, dua të të shoh.”
Ishte hera e parë në histori që një fjali kalonte nëpër tela dhe dëgjohej në një dhomë tjetër.

Shpikësi që nuk mbajti telefon në zyrë
Interesante është se Bell, ndonëse shpiku telefonin, nuk mbajti asnjëherë një të tillë në zyrën e tij. Për të, telefoni ishte një mjet, jo një qëllim. Ai e konsideronte shpikjen e tij më të famshme thjesht një hyrje në punën e tij të vërtetë si shkencëtar.
Vazhdonte të kërkonte. Të eksploronte. Të kapërcente kufijtë e njohjes.

Në vitet e mëvonshme, Bell u angazhua në zhvillimin e telekomunikimeve optike, hidroplaneve, aeronautikës dhe mjeteve për përmirësimin e edukimit të personave me aftësi të kufizuara. Ai ishte gjithashtu presidenti i dytë i National Geographic Society, duke luajtur një rol kyç në kthimin e saj në një platformë vizionare për përhapjen e njohjes.

Trashëgimia e një zëri që s’harrohet
Vdekja e Alexander Graham Bell më 2 gusht 1922 shënoi fundin e një epoke, por jo të zërit që ai lëshoi në botë. Në nder të tij, të gjitha linjat telefonike në Shtetet e Bashkuara heshtën për dy minuta, një heshtje e madhe për njeriun që u ngrit kundër saj.
Trashëgimia e tij nuk qëndron vetëm te telefoni si pajisje, por te mënyra se si ai na mësoi se çdo shpikje e madhe lind nga një dhimbje e thellë, nga një nevojë e patjetërsueshme për të lidhur njerëz, për të mbushur distanca, për të dhuruar prani aty ku mungon.
Ai nuk ndërtoi vetëm një pajisje. Ai ndërtoi një urë. Dhe përmes kësaj ure, njerëzimi nisi të dëgjojë më mirë njëri-tjetrin.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x