34.7 C
Tirana
15 / 08 / 2026

Albin Kurti në foto me të arrestuarin e dyshuar si agjent i shërbimit sekret të Serbisë, reagon Qeveria e Kosovës: Ishte takim…

Një çështje e re ka ‘ndezur’ politikën në Kosovë dhe jo vetëm. Bëhet fjalë për Fehim Salin, e arrestuar si agjent i dyshuar të Serbisë.

Një fotografi e Fehim Salit me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, është kthyer në temë debati në Kosovë pas arrestimit të tij nën dyshimet se ka bashkëpunuar me Shërbimin Inteligjent të Serbisë (BIA).

Fotoja është realizuar gjatë një takimi në Kryeministri, ku Kurti kishte pritur përfaqësues të organizatave të komuniteteve joshumicë, mes tyre edhe Salin.

Publikimi i fotos nxiti reagime në Kosovë, ndërsa zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka, sqaroi se Kurti, gjatë mandateve të tij, ka zhvilluar dhjetëra takime me organizata të regjistruara që përfaqësojnë komunitetet joshumicë.

“Ne nuk bëjmë detektorin e askujt dhe as s’japim amnisti për askënd. Përkundrazi, institucionet e sigurisë, si Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), po zbulojnë gjithnjë e më shumë raste të dyshuara për spiunazh dhe për këtë meritojnë përgëzime”, deklaroi Manxhuka.

Foto e takimit është publikuar nga ‘Gazeta Express’.

Por kush është njeriu që autoritetet kosovare dyshojnë se bashkëpunonte me BIA-n?

Nga mësues në përfaqësues të komunitetit goran

Fehim Sali është nga fshati Kërstec i Dragashit dhe prej vitesh njihet si një figurë aktive në komunitetin goran në Kosovë.

Ai ka punuar si mësues në shkollën fillore serbe “9 Maji” në Rapçë. Sipas mediave kosovare, emërimi i tij në këtë detyrë ishte bërë me mbështetjen e ish-ministrit serb të Arsimit, Branko Ruzhiq.

Pas luftës në Kosovë, Sali u angazhua në organizata të shoqërisë civile që përfaqësonin komunitetin goran. Në vitin 2020 themeloi në Kosovë organizatën “Udruzhenje gragjana Gora/Zelena”, ndërsa në prill 2024 në Serbi u regjistrua edhe organizata “Moja Gora”.

Nga viti 2022 deri në vitin 2024 ai ishte anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes së Kosovës, një mekanizëm që përfaqëson komunitetet joshumicë në raport me institucionet. Ai u shkarkua nga kjo detyrë në maj të vitit 2024.

Dyshimet për lidhjet me BIA-n

Fehim Sali u arrestua më 13 gusht në pikën kufitare të Merdarës, ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar ndaj tij një muaj paraburgim.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, ai dyshohet se për një periudhë të pacaktuar, deri në ditën e arrestimit, i ka ofruar vazhdimisht informacione dhe ndihmë Shërbimit Inteligjent të Serbisë (BIA), me qëllim përfitimin material.

Sipas dosjes së hetimit, ai dyshohet se ka përcjellë informacione për situatën politike në Kosovë, ka fotografuar dhe identifikuar zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), si dhe ka dhënë të dhëna për persona që, sipas Prokurorisë, i përkasin sektit vehabi, një rrymë konservatore brenda islamit sunit, e cila predikon një interpretim të rreptë të fesë dhe kthimin te praktikat e myslimanëve të parë.

Po sipas Prokurorisë, Sali ka propozuar edhe persona që mund të kontaktoheshin ose të rekrutoheshin nga shërbimi inteligjent serb.

Mediat në Kosovë, duke iu referuar hetimeve, raportojnë se Sali dyshohet se ka shërbyer edhe si ndërmjetës për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me dokumente serbe. Sipas këtyre raportimeve, ai do ta kryente këtë aktivitet me ndihmën e një zyrtari të BIA-s, me të cilin dyshohet se ka zhvilluar takime në Beograd dhe komunikime të vazhdueshme.

Në fokus të hetimeve janë edhe kontaktet e tij me struktura politike në Serbi dhe aktiviteti në komunitetin goran.

Sipas KosovaPress, ai dyshohet se ka ndikuar te votuesit e komunitetit goran në favor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), duke përfituar mjete financiare për këtë aktivitet. Po sipas të njëjtit burim, organizata “Moja Gora” dyshohet se është përdorur si mbulesë për aktivitete që synonin orientimin e votës së këtij komuniteti në zgjedhjet në Serbi.

Në fillim të vitit 2023, Sali mori pjesë në aktivitete të organizuara nga SPS, ku zhvilloi takime edhe me kreun e partisë, Ivica Daçiq, si dhe me deputetin Igor Braunoviq.

Hetimet ndaj Fehim Salit vijojnë, ndërsa autoritetet kosovare e konsiderojnë atë të dyshuar për veprën penale të spiunazhit. Deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës, ai prezumohet i pafajshëm.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x