19.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Akuzohet se ka falsifikuar botime të Kadaresë, caktohet masa e sigurisë për 60-vjeçaren në Tiranë

Gjykata e Tiranës cakton masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” për një 60 vjeçare të akuzuar për falsifikimin e botimeve të Ismail Kadaresë. Sipas hetimit të drejtuar nga prokurori Bledar Valikaj, Mirela Bardhi, menaxhere e një librarie të njohur në Tiranë, ka konsumuar veprat penale të “shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale” dhe “fshehje e të ardhurave”.

Hetimi ndaj Bardhit ka nisur pas një kallëzimi të bërë më 9 prill nga Enxhi Hudhri, vajza e Bujar Hudhrit, drejtuesit të shtëpisë botuese “Onufri”, që publikon veprat e shkrimtarit Kadare.

Në kallëzim Hudhri ka pohuar se një librari në rrugën “Abdyl Frashëri” shiten kopje të paautorizuara të Kadaresë. Në këtë librari ajo ka blerë kopje të botimeve “Prill i thyer”, “Kronikë në gur” dhe “Kush e solli Doruntinën”, për të cilat ka marrë edhe kupon tatimor, por ka konstatuar se nuk ishin prodhime të shtëpisë botuese “Onufri”.

Dyshimi se libraria po shiste kopje të falsifikuara kallëzueses i ka lindur për shkak se nga 1 gushti 2023 deri në 1 janar 2024 nga kjo librari nuk ishte shitur asnjë kopje e veprave të Kadaresë.

Disa ditë më vonë ajo ka blerë edhe kopje të “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Pallati i ëndrrave”, që po ashtu kanë qenë botime të paautorizuara dhe që ndryshonin nga origjinali. Këto kopje janë administruar si provë, ndërsa në vijim janë sekuestruar të gjitha kopjet e falsifikuara në librarinë përkatëse.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x