Gjatë mbledhjes së sotme KQZ ka bërë me dije se pas verifikimeve të thelluara rezulton se kandidati për deputet në zgjedhjet e 25 Prillit për Partinë Demokratike, Agron Kapllanaj, nuk ka asnjë pengesë për të ushtruar funksionin publik të deputetit.
Gjithashtu ky vendim është marrë edhe për Hekuran Murataj i cili në zgjedhjet e kaluara kandidoi për deputet në qarkun e Tiranës nën logon e Partisë Social Demokrate të Shqipërisë, mirëpo nuk arriti të fitonte.
Ky vendim i marrë nga KQZ gjithashtu hedh poshtë akuzat e bëra nga Partia Demokratike e Sali Berishës kundrejt Kapllanajt, të cilët më herët u shprehën se ai nuk mund të kandidojë për kreun e Bashkisë së Mallakastrës për shkak të problemeve me ligjin në shtetin fqinj, Itali.
Kapllanaj është kandidati zyrtar i Partisë Demokratike të udhëhequr nga Enkelejd Alibeaj për Bashkinë e Mallakastrës.
Kujtojmë se në vitin 2004 ai u dënua me 2 vite burg dhe 300 euro gjobë gjykatë në Firence pasi akuzohej për vjedhje.
Prokuroria e Përgjithshme ju rikthye kësaj historie duke i dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një skaner të aktivitetit penal të ish-kryebashkiakut.
Sektori i Dekriminalizimit bëri një verifikim të thelluar dhe komunikim me shtetin italian për këtë çështje, ku rezultoi se Agron Kapllanajt dënimi i është pezulluar me kusht.