Roman Abramovich vazhdon të mbetet një nga figurat më enigmatike të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Ndërsa konflikti ka hyrë në vitin e pestë, ish-pronari i klubit Chelsea konsiderohet ende një nga të paktët persona që gëzon besimin e Kremlinit dhe që njëkohësisht ruan kanale komunikimi me Kievin.
Një episod i panjohur deri më tani është zbuluar nga producenti dhe regjisori ukrainas Alexandr Rodnyansky në librin e tij autobiografik Nebulov. Sipas tij, në vjeshtën e vitit 2021, disa muaj para pushtimit rus të Ukrainës, gazetari i njohur rus Vladimir Solovyov e kishte paralajmëruar se lufta ishte e pashmangshme.
“Do të ketë luftë. Më beso, nuk e shoh aspak mirë. Ai është i bindur”, i kishte thënë Solovyov, duke iu referuar presidentit rus Vladimir Putin.
Rodnyansky tregon se më pas Solovyov e kontaktoi për të gjetur një person që mund të ndërmjetësonte me Kremlinin dhe ndoshta të bindte Putinin të hiqte dorë nga planet e tij. Të dy ranë dakord për një emër: Roman Abramovich.
Megjithatë, përpjekjet e asaj kohe nuk sollën rezultat. Më vonë, në mars të vitit 2022, Abramovich u përfshi në negociatat e para mes Rusisë dhe Ukrainës, por edhe ato përfunduan pa marrëveshje.
Roli i oligarkut rus është rikthyer së fundmi në qendër të vëmendjes pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi në një intervistë për Sky News se ishte takuar me Abramovich në Kiev muajin e kaluar.
Sipas Zelenskyt, Abramovich i kishte përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë nga Moska dhe kishte kërkuar të merrte një përgjigje për t’ia transmetuar Putinit, por me kusht që gjithçka të zhvillohej larg vëmendjes publike.
Gjatë takimit, oligarku rus kërkoi të kuptonte nëse Ukraina ishte e gatshme të hynte në negociata paqeje. Zelensky përsëriti se Kievi nuk ka ndërmend të heqë dorë nga Donbasi, duke e konsideruar një fitore të papranueshme për Moskën.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, deklaratat e fundit të Putinit në Forumin Ekonomik të Shën Petersburgut kanë treguar se Kremlini mbetet i palëkundur në kërkesat e tij, duke e kushtëzuar çdo negociatë me dorëzimin e rajonit të Donbasit.
Abramovich ka luajtur më parë rol edhe në marrëveshjen për eksportin e drithërave ukrainase përmes Detit të Zi dhe në disa shkëmbime të të burgosurve mes dy vendeve.
Në vitin 2022, Financial Times e përshkroi atë si një “njeri të besuar” të Putinit, ndërsa raportime të ndryshme kanë sugjeruar se vetë Zelensky kishte kërkuar nga SHBA të shtynte vendosjen e sanksioneve ndaj tij për shkak të rolit ndërmjetësues.
Ndërkohë, media nacionaliste ruse Tsargrad pretendon se Abramovich po përpiqet të ndërtojë ura të reja komunikimi mes Moskës dhe Brukselit. Sipas këtyre raportimeve, ai ka kontaktuar ish-kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin finlandez Alexander Stubb.
Ndërsa producenti ukrainas Rodnyansky është dënuar me tetë vjet burg në Rusi për qëndrimet e tij kundër luftës dhe Solovyov është shndërruar në një nga zërat më të fuqishëm të propagandës së Kremlinit, misteri që rrethon Roman Abramovichin mbetet ende i pazgjidhur.