35.5 C
Tirana
01 / 07 / 2025

A mund të jemi të lumtur duke mos patur asgjë?

Nga Ledio Alite

Në biseda e sipër me miq e kolegë ndërkombëtarë, konstatohet se gjithnjë e më shumë njerëz në shoqëritë e zhvilluara, veçanërisht të punësuarit, priren t’i shohin vendet e bukura me të ardhura mesatare të ulëta si një arratisje mendore nga rutina e tyre 9-5, e cila ndonjëherë kombinohet me një realitet vetmie. Disa prej tyre mbajnë foto plazhi në zyrat e tyre, flamuj ishujsh e të tjera si këto.

Konceptet e të pasurve dhe të varfërve ndonjëherë priren të jenë konfuze këto kohë. Ne shohim njerëz në vendet “e pasura” të stresuar, të shqetësuar, të vetmuar, duke përballuar kostot e jetës së përditshme, vetëm virtualisht social, etj. Dhe ne vazhdojmë të shohim njerëz në vende “të varfra”, në ishuj të bukur e  të ngrohtë, duke kënduar me kitarrë dhe duke shijuar shoqërinë e njëri-tjetrit çdo natë në mot të mirë. Fëmijë që luajnë me njëri-tjetrin ndërsa presin të mbushin një bidon me ujë plot, pa Tik-Tok, pa ankth, vetëm bukë, kripë dhe zemër të bardhë.

Cesária Évora, një këngëtare nga Cabo Verde e njohur si “Mbretëresha e Mornës” thoshte: “Zoti na lëntë kështu në paqe, dashuri dhe dhembshuri”. Në citate të tilla, nuk shohim asgjë materiale, megjithëse vjen nga vende që kanë nevojë për disa zhvillime moderne. Megjithatë ata nuk e kanë problem, gjithçka që u intereson është qetësia shpirtërore dhe të mos harrojnë të këndojnë.

Pra, a nuk është turp pas gjithë këtyre zhvillimeve teknologjike, që në fund të shqetësohemi vetëm për të konsumuar? Edhe pse ne prodhojmë kënaqshëm si një shoqëri e zhvilluar, të gjitha ambiciet dhe ëndrrat tona janë të lidhura me konsumin, kështu që gjithçka që përfitojmë është stresi, puna, përpjekjet për të ndërtuar diçka në mënyrë që të jetojmë materialisht jetën që projektojmë të ndikuar nga gjithçka që na rrethon. Por çfarë ndodh me marrëdhënien tonë shoqërore? Ndoshta pasurimi material përfundon një ditë, por një gjë është e sigurt, eksplorimi i natyrës njerëzore me njëri-tjetrin është shumë më sfidues, kuptimplotë dhe në një formë i pafund.

Po sikur në shoqëritë e zhvilluara të bashkëjetojnë ky zhvillim teknologjik dhe dëshira për të kënduar me njëri-tjetrin çdo ditë? Praktikisht, të kesh gjithçka, por në të njëjtën kohë të mos kesh asgjë në kuptimin e të paturit asgjë më shumë sesa duhet të çmojë një qenie njerëzore. Shtëpi, veshje, makina elektrike, një oborr i shtëpisë dhe një siguri që asnjë nga këto nuk është në rrezik, për të vetmen arsye se të gjitha planet e shkëlqyera dhe të gjitha dizajnet madhështore, janë në fakt për 99% të njerëzve një kauzë e humbur. A nuk janë këto gjërat për të cilat punëtorët dalin çdo ditë në orën shtatë të mëngjesit për të shkuar në punë? Po sikur të mos kthehen më në shtëpi me dekurajimin se disa njerëz janë të paarritshëm falë mjedisit që krijon një garë të pabarabartë?

Disa mund ta quajnë këtë ide të drejtpërdrejtë komunizëm, por në fakt nuk është ashtu. Komunizmi në utopinë e tij nuk është zbatuar kurrë në një model të suksesshëm, duke dëshmuar se kur gjithçka kontrollohet nga sektori publik, lakmia helmon zemrat e atyre që janë në krye. Ky është një sektor tjetër publik, një sektor publik jozyrtar, i popullit, i cili mund të mbështetet nga sistemi aktual i të ashtuquajturit zhvillim teknologjik. Sigurimi i një gare të barabartë, në një sistem kapitalist të mbështetur nga teknologjia, mund të krijojë përsëri një realitet dinamik. Njerëzit janë të lodhur duke parë super-njerëzit që kanë sukses çdo ditë në forma të pabarabarta, dhe në vend që të këndojnë për dashuri në fund të ditës, ata priren të këndojnë miliona faturat e tyre.

Por a jemi gati të pranojmë se nuk do ta arrijmë dot kurrë atë majën e lartë e të ftohtë që na ushqen konsumi çdo ditë? Është tashmë një varësi, kjo ambicie. Me shumë mundësi, në këtë drejtim shumica e punëtorëve dhe klasa e mesme do të kalojnë gjithë jetën e tyre në kërkim të pasurimit, duke mos patur asgjë, dhe në fund të fundit nuk do të jenë të kënaqur me asgjë që kanë bërë.

Pra, në një realitet shumë të ashpër të konkurrencës maksimale e të pabarabartë, a është më mirë të riformësojmë modelin tonë në një “ekonomi tekno-tropikale”, ku të gjithë do ta ruajmë atë që kemi arritur si shoqëri, duke mos patur asgjë më shumë se sa kemi nevojë, dhe prapë të jemi të lumtur?

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x