Komanda e unifikuar e forcave të armatosura të Iranit ka deklaruar se portet në Gjirin Arabik dhe në Detin e Omanit janë “ose për të gjithë, ose për askënd”, raportoi transmetuesi shtetëror IRIB.
“Forcat e Armatosura të Republikës Islamike të Iranit e konsiderojnë mbrojtjen e të drejtave ligjore të vendit tonë një detyrë natyrore dhe ligjore, dhe në këtë kuadër, ushtrimi i sovranitetit të Republikës Islamike të Iranit në ujërat territoriale të vendit tonë është e drejtë natyrore e kombit iranian,” citohet në deklaratë.
Sipas saj, “anijet e lidhura me armikun” nuk do të kenë të drejtë të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, ndërsa anijet e tjera do të lejohen të kalojnë, në përputhje me rregullat e vendosura nga Teherani.
“Vendosja e kufizimeve nga SHBA mbi lëvizjen e anijeve në ujërat ndërkombëtare është një akt i paligjshëm dhe përbën pirateri,” thuhet më tej.
Forcat iraniane paralajmëruan gjithashtu se nëse siguria e porteve vihet në rrezik, atëherë asnjë port në rajon “nuk do të jetë i sigurt”.