Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit ka hyrë në ditën e dytë, duke shënuar një përshkallëzim dramatik të situatës në rajon. Pas konfirmimit të vdekjes së liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, Teherani ka paralajmëruar hakmarrje të ashpër.
Garda Revolucionare deklaroi se do të ndërmarrë “operacionin më të egër ofensiv në historinë e vendit”, ndërsa njoftoi nisjen e sulmeve me raketa dhe dronë në shkallë të gjerë ndaj 27 bazave ushtarake amerikane dhe objektivave izraelite në rajon.
Nga ana tjetër, Forcat Mbrojtëse të Izraelit konfirmuan një valë të re bombardimesh ndaj objektivave në Teheran. Forcat Ajrore Izraelite po kryejnë një operacion ajror në shkallë të gjerë kundër “objektivave të regjimit iranian në zemër të kryeqytetit”.
Televizioni shtetëror iranian raportoi për vrasjen e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, Abdolrahim Musavi, si dhe të Ministrit të Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh. Mes viktimave të konfirmuara janë edhe Komandanti i Gardës Revolucionare, Mohammad Pakpur, dhe Sekretari i Këshillit të Mbrojtjes, Ali Shamkhani.
Po ashtu, agjencia “Fars” njoftoi se gjatë sulmeve u vra edhe shefi i inteligjencës së policisë iraniane, Gholamreza Rezaian. Irani ka shpallur ndalimin e hyrjes së anijeve amerikane në Gjirin Persik dhe pezullimin e tregtisë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ministria e Mbrojtjes raportoi se Irani lëshoi 137 raketa dhe 209 dronë. Tensionet u reflektuan edhe në Pakistan. Në qytetin portual të Karaçi, qindra protestues pro-iranianë u përpoqën të sulmonin konsullatën amerikane. Të paktën tetë persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën gjatë përplasjeve me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Kundër sulmeve kanë reaguar disa vende europiane, ndërsa e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme Kaja Kallas ka thirrur për të dielën mbledhjen e jashtëzakonshme online të ministrave të jashtëm të BE-së. “Sulmet e regjimit iranian pa dallim ndaj fqinjëve bartin rrezikun e përfshirjes së rajonit në një luftë të zgjeruar”, shkruan Kallas në platformën X. Është vendimtare, që lufta të mos përhapet më tej, nënvizon ajo.
11:15 Video/ Protestues pro Iranit sulmojnë konsullatën amerikane në Karaçi, 6 të vrarë dhe 20 të plagosur
Gjashtë protestues janë vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur pas sulmit ndaj konsullatës amerikane në qytetin port të Karaçit, Pakistan.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin të mos ndërmarrë hakmarrje ndaj SHBA-ve ose Izraelit, duke kërcënuar me një goditje “që nuk është parë kurrë më parë”.
Mbledhje krize e ministrave të Jashtëm të BE-së për zhvillimet lidhur me Iranin: Vendet europiane reagojnë ndaj sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit si dhe kundërsulmeve të Teheranit në rajon.
09:23 Kush do e zëvendësojë udhëheqësin suprem të Iranit? Presidenti Trump: Ka disa kandidatë të mirë
Pas vrasjes së udhëheqësit suprem Ali Khamenei në një operacion të përbashkët SHBA-Izrael, presidenti Donald Trump deklaroi se ekzistojnë disa “kandidatë të mirë” për të marrë drejtimin e Iranit.
09:06 Video/ Spikeri i televizionit iranian shpërthen në lot teksa njofton vdekjen e Khameneit
Një spiker në televizionin shtetëror iranian shpërtheu në lot ndërsa lexonte deklaratën për vdekjen e Udhëheqësit Suprem, Ajatollahut Ali Khamenei.
Kryeministri Edi Rama dënoi sulmet e Iranit kundër Emirateve të Bashkuara Arabe duke i quajtur ato si një sulm ndaj stabilitetit, prosperitetit dhe vetë idesë se Lindja e Mesme mund të përcaktohet nga paqja dhe bashkëpunimi, e jo nga lufta dhe kaosi.
08:37 Irani konfirmon vrasjen e ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm
Irani ka konfirmuar se ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura u vranë gjatë sulmeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ndaj Irani të shtunën, sipas mediave shtetërore iraniane.
08:27 Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëron qytetarët: Shmangni udhëtimet drejt Bahreinit
Departamenti Amerikan i Shtetit ka përforcuar paralajmërimin për udhëtimet drejt Bahrain dhe ka lejuar largimin e personelit jo-emergjent të qeverisë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të familjarëve të tyre, nga vendi, “për shkak të rreziqeve të sigurisë”.
08:15 Sulmet e nisura nga Irani, 8 persona mbetën të plagosur në Katar
Ministria e Brendshme e Katarit tha se tetë persona u plagosën këtë mëngjes në sulmet iraniane ndaj vendit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të plagosurve në 16 që nga fillimi i sulmeve një ditë më parë.
03:37 Irani e pranon: Ali Khamenei u vra në zyrën e tij ku po kryente detyrat shtetërore
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u vra në kompleksin e tij në kryeqytetin Teheran, raportuan mediat shtetërore iraniane. Khamenei u vra “në zyrën e tij në rezidencën e udhëheqësit” ndërsa “po kryente detyrat e tij” në momentin e sulmit herët të shtunën, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Fars News Agency.
- Spikeri i televizionit iranian shpërthen në lot teksa njofton vdekjen e Khameneit (VIDEO) - 01/03/2026
- “Artistët ishin traumatizuar”/ Sulmi ndaj vilës së diktatorit Enver Hoxha, reagon Rama: Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm janë bashkëpërgjegjës - 01/03/2026
- Një i vrarë dhe 11 të plagosur në aeroportet e Dubait dhe Abu Dabit pas sulmeve iraniane - 01/03/2026