Dega e Partisë Demokratike në Berat ka reaguar përmes një mesazhi drejtuar anëtarësisë së saj, duke sulmuar ish-deputetin Ervin Salianji në lidhje me një takim të paralajmëruar prej tij në këtë qytet.
Në mesazhin e shpërndarë, PD Berat e cilëson Salianjin si “të vetëpërjashtuar nga PD” dhe pretendon se aktiviteti që ai synon të zhvillojë është me “agjendë tërësisht private” dhe pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike. Sipas degës lokale, takimi nuk përfaqëson strukturat zyrtare të partisë dhe, siç thuhet në reagim, “është në shërbim të Edi Ramës dhe qeverisë së tij”.
Në të njëjtin komunikim, demokratëve të Beratit u bëhet thirrje që të distancohen nga ky aktivitet, i cili sipas PD-së ka “agjendë qeveritare” dhe nuk përfaqëson qëndrimet zyrtare të forcës politike.
“I dashur anëtar i PD Berat,
Nesër, Ervin Salianji, i vetëpërjashtuar nga PD, po përpiqet, me ndihmën e segmenteve të pushtetit dhe segmenteve të krimit të organizuar lokal, të organizojë një takim me një agjendë tërësisht private. Ky takim nuk ka asnjë lidhje me Partinë Demokratike, por është në shërbim të Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Dega e PD Berat ju bën thirrje ju, si anëtar i degës, të distancoheni nga ky aktivitet me agjendë qeveritare.
Ju faleminderit”, thuhet në njoftim.

- Pushime që ju përmirësojnë humorin, 5 qytetet më të lumtura për turistët, Lisbona kryeson renditjen - 21/10/2026
- “Pedagogët firmosin dhe ikin si skutha”/ Hervin Çuli: Intelektuali duhet të jetë kundër dhunës - 21/10/2026
- “Sistemi arsimor i kthyer në celula të partive”, Lami: Listat e pedagogëve? Mungojnë rektorët dhe dekanët… - 21/10/2026