Nga Fitim Zekthi
Opozitën shqiptare do ta vrasë konspiracionizmi, asgjë tjetër. Atë nuk do ta vrasë humbja në zgjedhje, nuk do ta vrasë as mungesa e demokracisë së brendshme. Edhe humbjet e shpeshta, edhe mungesa e demokracisë së brendshme janë gjëra që një parti mund t’i tejkalojë dhe, pas reflektimeve të mundshme, të gjata dhe të vështira, arrin të ndryshojë dhe të fitojë.
Ajo që nuk e lejon kurrë një parti apo një organizatë të reflektojë, të shohë veten, të ndryshojë, është konspiracionizmi: shpjegimi i botës dhe i vetes, shpjegimi i gjendjes së vet dhe i zhvillimeve politike, ndërtimi i strategjisë së mbijetesës dhe fitores me anë të konspiracionit.
Dy ditë më parë u njoftua se kryeministri Rama, Shqipëria, ka marrë një ftesë nga presidenti amerikan Donald Trump për të qenë anëtar i Bordit të Paqes për Gazën. Siç dihet, pak kohë më parë, pas negociatash të vështira (dhe pas tre vitesh dhunë dhe gjenocid në Gaza), u arrit një marrëveshje mes SHBA-së, Izraelit, Hamasit dhe liderëve të disa vendeve: Egjiptit, Turqisë, Arabisë, Katarit etj., për paqe me disa faza. Pasi të përfundonte faza e parë, që tani mendohet si e përfunduar, e cila kishte të bënte me ndalimin e luftimeve dhe zgjidhjen e krizës humanitare në Gaza, do të niste faza e dytë, ajo e rindërtimit të Gazës, çarmatimit të Hamasit etj. Në fazën e dytë do të ngrihej një Bord që do të drejtohej nga presidenti Trump. Pak a shumë kjo gjë ka ndodhur, pa hyrë në detaje të mëdha të planit të paqes dhe funksionimit të tij.
Presidenti Trump shpalli Bordin e Paqes, ku janë ose do të jenë rreth 100 vende, secili prej tyre me përfaqësuesin e tij. Brenda këtij bordi gjigand politik, të drejtuar nga SHBA dhe Trump, do të ngrihet një bord ekzekutiv që do të drejtojë gjithë procesin në terren. Ky bord ekzekutiv ka disa emra të njohur të botës politike dhe asaj të ekonomisë dhe diplomacisë, duke nisur me sekretarin amerikan Rubio.
Pasi doli lajmi që kryeministri Rama ka marrë ftesë për të qenë anëtar i Bordit të Paqes, pati një konvulsion të madh në radhët e opozitës, të cilët nuk mund ta pranonin këtë gjë për shkak të narrativës konspiracioniste të ndërtuar deri më tani. Ftesa për Ramën dhe Shqipërinë është një gjë shumë e mirë dhe, inshalla, përdoret për mirë. Ajo tregon se vendi ynë është (kjo dihet) një aleat i SHBA-së dhe qeveria jonë po ashtu një partner i qeverisë amerikane.
Opozita deri më tani ka thënë dhe e thotë akoma (me siguri do ta vazhdojë këtë për një kohë të pacaktuar) se administrata demokrate e presidentit Biden, ajo e presidentit Obama gjithashtu (por sidomos ajo Biden), ishte nën kontroll nga Xhorxh Soros. Kryeministri Rama ishte dhe është, thotë opozita, një vegël e Xhorxh Soros. Xhorxh Soros, për t’i pastruar Ramës rrugën, loboi me anë të mjeteve dhe njerëzve të tij te sekretari Blinken dhe te gjithë administrata Biden (që ai e ka nën kontroll) që të shpallte non grata Sali Berishën, i cili ishte pengesa e vetme në Shqipëri për planet e Soros dhe veglës së tij Rama, pasi Lulzim Basha kishte rënë nën kontrollin e tyre dhe e kishte shitur opozitën. Për t’i hapur rrugën Ramës dhe për të shkatërruar PD-në dhe opozitën (Berishën) ishte krijuar SPAK-u, që udhëhiqej nga Rama dhe klani Soros, dhe ishte bërë gjithçka tjetër.
Opozita ka thënë dhe thotë se këtë komplot do ta shkatërrojë Trump sapo të vijë në pushtet. Opozita ka thënë se Trump dhe administrata e tij, zëvendëspresidenti J. D. Vance, sekretari Rubio, sekretarja e drejtësisë Bondi, zëvendëssekretari Landau, shefja e stafit Susie Wiles, zëvendësshefi Stephen Miller etj., do të shkatërrojnë kudo regjimet soroiste dhe, më kryesorin e tyre, Ramën. Për këtë ata e kanë bllokuar, e kanë izoluar, dhe ai do të ketë fatin e Maduros. Ndoshta nuk do ta marrin me helikopter, por do ta shkatërrojnë me SPAK-un, i cili tashmë nuk kontrollohet nga Soros, por nga administrata Trump.
Me këtë shpjegim komplotist opozita vijon që prej vitit 2021. Me shpjegime komplotiste ajo vijon prej dekadash, shpjegime të cilat ka ardhur duke i thelluar, duke hyrë vetë në krizë gjithnjë e edhe më të thellë.
Sigurisht që në politikë, edhe atë amerikane, ka lobime, ka faktorë që ndikojnë, ka aktorë që luajnë rol, por kurrë ato nuk dalin përtej ligjësive, kurrë konspiracionizmi nuk tejkalon logjikën e gjërave dhe parimet e funksionimit të tyre.
Pas daljes së lajmit, pra, opozita e tronditur që Rama merrka ftesë nga SHBA nisi të thotë që ajo është ftesë kot, që e kanë marrë 100 të tjerë, që nuk ka asnjë vlerë, që nuk tregon se Rama ka dalë nga izolimi dhe fati i tmerrshëm i ndëshkimit amerikan. Rama mund të jetë keq me ndërkombëtarët, dhe është keq sepse ka shkatërruar qeverisjen dhe ligjin në Shqipëri; Rama mund të ketë fat të tmerrshëm politik dhe sigurisht që do të ikë shumë keq si një njeri që dështoi egërsisht me qeverisjen dhe korrupsionin, por këto nuk kanë të bëjnë me konspiracionizmin.
Opozita ka zgjedhur konspiracionizmin si instrument pushteti ose mbijetese politike. Teorikisht kjo ndodh kur aktorët politikë humbin mbështetje, autoritet moral dhe besueshmëri. Atëherë konspiracioni shërben si mekanizëm mbrojtës. Në vend që të pranohet dështimi, përgjegjësia zhvendoset te “forca të fshehta”, “aktorë të jashtëm”, “rrjete të padukshme”. Kjo ruan narrativën se humbja nuk është reale, por e imponuar, thotë Richard Hofstadter në librin e famshëm “Stili paranoidal në politikën amerikane”. Konspiracioni gjithashtu thjeshton realitetin duke e bërë atë njëdimensional.
Proceset politike janë të ndërlikuara; hyjnë shumë lloje variablash nga sociologjia politike, ekonomia, institucionet, drejtësia dhe sinqeriteti i liderëve, interesat e shumëfishta. Teoritë konspirative e reduktojnë këtë kompleksitet në një shkak të vetëm, zakonisht një armik i identifikueshëm. Kjo e bën realitetin politik emocionalisht më të menaxhueshëm për bazen militante. Konspiracioni, nga ana tjetër, krijon frikë, zemërim dhe ndjenjë rrethimi. Këto emocione janë shumë më mobilizuese sesa argumentet racionale. Politika konspiracioniste prodhon një ndarje të fortë “ne kundër atyre”, duke forcuar identitetin e grupit dhe besnikërinë ndaj liderit. Këto gjëra e masakrojnë një organizatë, një parti apo edhe një qeveri. Këto mund të ndihmojnë për gjëra të vogla njerëz të caktuar, por jo organizatën apo lëvizjen. Sot opozita ka nevojë të jetë një lëvizje popullore për të rrëzuar një prej qeverive më të korruptuara në historinë 35-vjeçare dhe jo të shpresojë se SHBA (konspiracionizmi pra) do ta zhdukë Ramën nga pushteti.
- Një hartë e miqve dhe armiqve të Edi Ramës në Amerikë - 20/01/2026
- NATO kufizon aksesin e SHBA-ve në informacionet e inteligjencës për Groenlandën - 20/01/2026
- Dielli “godet” Tokën, lëshon stuhinë më të madhe të rrezatimit në më shumë se 20 vjet. Rrezik për satelitët, GPS-in dhe aviacionin - 20/01/2026