Në GJKKO po mbahet seanca e radhës për aferën Partizani. Avokatja e ish-kryeministrit Sali Berisha ka pretenduar se akuza është ndërtuar pa bazë ligjore dhe pa prova konkrete.
Klodiana Gjyzari, avokate e Sali Berishës: Baza ligjore mbi të cilën është ngritur akuza, në vlerësimin tonë nuk qëndron .Të na thuhet cili veprim konkret i zotit Berishës ka shkelje, organi i akuzës nuk ka dhënë asnjë sqarim. Mungon vepra penale. Është detyrë e prokurorisë të paraqes prova. Nuk e ka përmbushur detyrimin e saj objektive dhe subjektive për të paraqitur se cilat janë shkeljet.
Nga sa e ka ngritur akuzën prokuroria së pari ka gjetur fajtorin, më pas faktin penal. Por ndërkohë procedura ligjore parashikon që fakti të çon tek autori. Si u ushtrua ky pushtet që kishte Berisha? Veprimet që ka kryer për t’iu përgjigjur kërkesave të Bektashit, ose detyrave që sipas prokurorisë Bektashi i paska caktuar Berishës.
Prokuroria në përpilimin e akuzës fillimisht ka gjetur autorin. Më pas veprën penale. I vetmi argument i prokurorisë është fuqia që ka z. Berisha nga ushtrimi i detyrës si Kryeministër për të kryer veprën penale të korrupsionit, por jo mënyrën sesi.
Prokuroria ka dështuar të provojë sesi z. Berisha përfitoi nga Fatmir Bektashi. Z. Berisha sipas prokurorisë do e merrte përfitimin (mitën) pasi la postin e kryeministrit në 2013, konkretisht në 2015. Pra, z. Berisha ka qenë edhe parashikues në marrëveshjen e pretenduar me Bektashin.
Prokuroria është munduar ta gjejë aktin e shpronësisë, por një i tillë nuk ekziston. Ekziston akti i shpronësimit të padrejtë nga shteti komunist dhe që shteti shqiptar ka vonuar për t’ua rikthyer pronat familjes Begeja që i ka ato të ligjshme.
Sipas kësaj logjike të prokurorisë, i bie që në çdo situatë z. Malltezi do gjendej sërish i hetuar për pronat e tij, sepse herët a vonë atij do t’i ktheheshin pronat.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj.