6.5 C
Tirana
10 / 01 / 2026

Partitë tona po vdesin nga gënjeshtrat e tyre

Nga Ben Andoni

Ka mbaruar idili i viteve të para të demokracisë për partitë politike, sidomos në Shqipëri, kur deri më atëherë ekzistonte vetëm Partia e Punës dhe simbolika e saj, si subjekt i barabartë me shtetin. Tashmë, përveç dy partive kryesore dhe fare pak të tjerëve që i mbijetuan dhe 11 Majit 2025, dhjetëra të tjerët përbëjnë thjesht statistika për emrat dhe sidomos adresat që në jo pak raste as nuk identifikohen. Në zgjedhjet e fundit të Përgjithshme, u regjistruan plot 53 parti politike, kuptohet se pragun e kaluan më pak formacione se gishtat e një dore, ndaj këtej e tutje ato janë thjesht pjesë e historisë së zgjedhjeve sesa kanë ndryshuar diçka për vendin. Në fakt, e gjithë historia jonë politike e pas viteve ’90 mblidhet rreth 2 partive kryesore PS dhe PD dhe pastaj pak të tjerave, të cilat mezi e kanë kaluar pragun, disa herë falë dhe koalicioneve dhe aleancave të zgjuara. Tashmë, historia e tyre është fashitur. Ajo që i dallon është zgjuarsia që përkthehet shpesh si shkelja e moralit për të maksimalizuar votën në interes të pushtetit. Paradokset dhe çudirat nuk mbarojnë këtu. Nuk harrohet lëvizja e PD-së në zgjedhjet e dikurshme lokale, kur futi në thesin e saj komunistët, bash partia e të persekutuarve që mbahej me kauzën e anti-komunizmit! PS-ja sot është në një sulm për të rekrutuar këdo që ka lidhje me PD-në, ‘të Djathtë’ të tjerë apo Partinë e Lirisë dhe që mund t’i shërbejë. Rekrutimi i shumë emrave opozitarë të rreshtit të dytë e të tretë, në javët e fundit, kanë treguar mënyrën sesi e përfaqësojnë politikanët publikun e tyre. Për hir të së vërtetës, pushteti është qëllim dhe kjo i bën tek PS-ka të mos kenë skrupuj. Dhe, nëse për ta është normalitet për publikun është kthyer në angari dhe konfuzion i plotë mendor. Reformat që nisin mbeten në parlament si kjo e fundit për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale. Konflikti i stisur kinse nuk shuhet. Veçse, kur shikon më tutje dhe njeh realitetin tonë e kupton rrjetin e tarafeve, korrupsionit dhe emrat që bashkëpunojnë nga të dy anët dhe ndërgjegjësohesh se funksionalizimi i shtetit dhe demokracia janë thjesht slogane në vende si tonat. Tashmë jemi mes të ashtuquajturës paaftësi e politikës për të sendërtuar vizione dhe “krizës së sistemit”. Sot, njerëzit, ngado, po humbin edhe kuptimin e partive dhe nevojën për to. Ish-presidenti i fundit Ramiz Alia u përpoq të bënte një diversion “interesant”, duke i paraqitur asokohe organizatat e masave, siç quheshin, si grupime elektorale. Eksperimenti nuk shkoi. Sot, regjimi partiak kudo në botë po merr goditje të mëdha dhe madje për vetë konceptin e identifikimit të partisë. Studiuesi i njohur i politikës Xhovani Sartori e përcaktonte kështu formacionin politik: “Një parti është një grup politik i identifikuar me një etiketë zyrtare që paraqitet në zgjedhje dhe është e aftë të vendos nëpërmjet zgjedhjeve kandidatët në poste publike”. Përcaktimi i tij ndan kriteret më rigoroze të identifikimit të një formacioni përballë organizimeve të tjera që synojnë të kryejnë veprimtari politike. Por janë lëvizjet politike tashmë që po duken si alternativa. “Vetëvendosja” e tregoi në Kosovë, në Shqipëri të rinjtë po kanalizohen në Lëvizje politike. Tek e fundit nuk është më e pathënë: Partitë politike sot janë përgjithësisht jopopullore dhe nuk besohen prej publikut të gjerë. Rasti i Shqipërisë, ku votojnë më pak se 50% e popullatës nuk ndryshon me Ballkanin, ku shkalla e votimit është e njëjtë dhe madje edhe më e ulët. Një anketë mbi qëndrimet e publikut ndaj demokracisë nga Fondacioni për Inovacion Politik (Fondapol) së bashku me Institutin Ndërkombëtar Republikan (IRI), e cila u publikua në vitin 2021, tregoi se: Partitë politike u dalluan si institucionet më pak të besuara globalisht në botën demokratike, me vetëm 27% të besimit të përgjithshëm kundrejt 73% mosbesim. Partitë ishin shumë më të pabesueshme sesa parlamenti (42 % besim kundrejt 58% mosbesim), qeveria (43 % kundrejt 57 %), media (44 % kundrejt 56%) ose sindikatat (48 % kundrejt 52 %), institucionet e tjera që kishin më shumë mosbesim sesa besim. Politologët shohin me shqetësim se partitë politike: jo vetëm që nuk u besohet si institucione, por anëtarësimi i tyre duket se ka arritur në nivelet më të ulëta historike. Dikur Partia Konservatore e Mbretërisë së Bashkuar mund të krenohej me rreth 1.5 milion anëtarë të partisë në mesin e viteve 1970, kurse tashmë mezi e kalon pragun e dyqind mijë anëtarëve! Në Shqipëri këtë e shikon nga mungesa e identifikimit të bazës tek PD-ja por edhe shuarja e organizatave të dikurshme të PS-së në formë kapilare, ku rrihej mendimi ndryshe dhe përcillej zëri i masave, për t’ia lënë vendin patronazhistëve. Të dyja tashmë janë larg ideologjive bazë, Të Majtë apo të Djathtë.

“Rënia e partive politike është pjesë e një trendi shoqëror afatgjatë (Qendra Martens, 2021)  që lidhet me ndryshime më themelore që kanë ndikuar në shoqëritë evropiane, duke përfshirë rolin në rënie të ideologjive, atomizimin e shoqërive dhe dobësimin e rrjeteve të vjetra shoqërore që përbënin ekosisteme të tëra shoqërore, nga të cilat partitë politike ishin vetëm një aspekt”, shprehen në shkrimin e tyre “Unloved but Indispensable: Political Parties in Europe” (Të padashura por të domosdoshme: Partitë Politike në Evropë), autorët Paul Mccarthy, Thibault Muzergues dhe Patrick Quirk. Studiuesit e mësipërm shikojnë trendin të lidhur me individualizmin e viteve ‘80, element që i ka bërë qytetarët e tyre më pak të vetëdijshëm për përkatësinë e tyre në një familje politike, ose në një klasë të caktuar shoqërore, dhe si rezultat konkludojnë ata: identitetet e tyre politike janë bërë më fluide, duke rezultuar në më pak besnikëri ndaj partive ose platformave dhe më shumë mbështetje për një personalitet të caktuar, argumentojnë ata. Por duket se lufta më e madhe ndaj partive ashtu si edhe për shoqërinë është rritja e fuqisë së internetit dhe mediave sociale në vitet 2000 dhe 2010. Tashmë nuk mund të flitet më për projekte afatgjata të partive politike, që do të thotë respekt të ideologjisë së tyre, përshtatja në interesa globale dhe paraqitja e kandidatëve për të mbrojtur këto interesa dhe ideologji në zgjedhje me qëllim ushtrimin e pushtetit në emër të parimeve ose për të mirën e përgjithshme. Kjo  s’ka rëndësi. Jeta është bërë një Big Brother dhe vetë ekzistenca e partive e parëndësishme për politikën moderne. Ikjet e individëve nga partia në parti nuk janë më tren dhe as çudi.

Ndaj, gjithnjë e më shumë  po flitet për shuarjen e partive politike dhe ide të reja në një epokë të mediave sociale, ku ideja është se tashmë nga centralizimi po kalohet në organizimin e drejtuar të një decentralizimi politik. Dhe rezultati: Indekset e Lirisë dhe Prosperitetit të Këshillit Atlantik shfaqin se liria politike në Evropë ka rënë vazhdimisht, kurse rasti grek me rënien e partive historike; e ndoqi Franca me ndryshimin historik, ku dy partitë që dominuan jetën politike të vendit në vitet 2000 dhe fillim të viteve 2010, respektivisht Partia Socialiste (PS) dhe Republikanët (LR), u eliminuan brenda një vit të vetëm zgjedhor (2017) nga Emmanuel Macron. Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, pjesa e tyre e përbashkët e votave në raundin e parë ishte pak më shumë se 6 %.

Në thelb, partitë politike duhet të zgjidhnin si duhet elementin e përfaqësimit në një sistem politik të drejtë demokratik. Madje, as një lëvizje nuk e arrin dot, por rasti i Shqipërisë dhe vende rishtare në demokraci ka treguar se ky element nuk funksionon më. Kjo ka sjellë pa fund pasoja negative. Kjo është edhe arsyeja pse sot gjithmonë e më shumë ka çoroditje dhe shqetësim për rolin e partive politike në një sistem demokratik dhe në rastin shqiptar po tregojmë sesi PS dhe PD nuk i përfaqësojnë më fare zgjedhësit e tyre, por thjesht ata që kanë interes tek ato. Xhon Arbuthnot, polimati skocez e thoshte më qartë shekuj më parë, kur nuk mendohej ndonjëherë fuqia e partive politike: “Të gjitha partitë politike vdesin më në fund duke gëlltitur gënjeshtrat e tyre”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x