Nga Ismail KADARE
Kapardisja është një cilësi e përgjithshme njerëzore. Atë e gjen kudo në botë, por te ballkanasit veçanërisht. E veçanërisht te shqiptarët.
Kronika e gjatë e gadishullit tonë nuk mund të kuptohet mirë pa të. Madje shpesh është vështirë të dallohet ku mbaron kufiri i një bëme dinjitoze, madje trimërore e ku nis kapardisja. Kjo e fundit është e ndërthurur shpesh me të gjitha ato tipare, të mbara e të mbrapshta, të njeriut ballkanas duke i dhënë një theksim të veçantë si veseve, si virtyteve të tij. Si e tillë ajo pasqyrohet gjithsesi në vizionin për jetën, në mënyrën e sjelljes, të të menduarit, të të vepruarit e gjer në gjëra tepër të përditshme, siç janë veshja ose ecja e njeriut.
Megjithatë, për një habi të madhe, po të hetojmë me gjakftohtësi historinë e gjatë të popullit shqiptar, vërejmë se ndërsa ka qenë tepër e pranishme në jetën e përditshme, kjo sëmundje nuk është dëshmuar aq sa pritej në atë sferë, ku dëmtimet e saj janë vërtetë fatale: midis prijësave shqiptarë, ata që sot quhen “liderë”.
[…]
Koha e kapardisjes së madhe i erdhi shqiptarëve, ose më mire klasës politike të tyre, atëherë kur ajo pritej më pak: pas rënies së regjimit komunist. Mund të thuhet pa frikë se, për dhjetë vjet, njerëzit e politikës shqiptare, u mburrën e u ngrefosën më shumë se gjithë paraardhësit e tyre, gjatë dhjetë shekujve.
Ishte një trishtim i madh të vëreje se si një pjesë e këtyre politikanëve harruan krejtësisht se çfarë u besoi historia: nxjerrja nga mjerimi e nga tronditja psiqike e një populli, që kishte vuajtur aq shumë e që kishte nevojë më në fund për jetë, për shëndoshje trupore e shpirtërore, me fjalë të tjera për normalitet.
Të pajisur jo vetëm me një mendje të varfër, por edhe me karakter të dobët (shpesh pasojë e logjikshme e së parës), pa kurrfarë strukture morale, këta njerëz të rëndomtë nuk e përballuan e as mund ta përballonin misionin që u vuri koha. Në vend të ulnin kokën përpara dramës së popullit të tyre, të ulnin kokën jo për përvujtni morale, por për të kuptuar më mirë përse janë në krye të vendit, këto natyra të varfëra u dehën nga shija e pushtetit, nga veturat, rojet, pritjet e kamerat e televizionit. Kjo do të shoqërohej natyrisht, ashtu siç u shoqërua, nga një mllef i verbër kundër kundërshtarëve politikë, nga një korrupsion i pafund, dhe nga një shpërfillje e plotë për interesat dhe tragjedinë e vendit.
Megjithë këtë sjellje të papërgjegjshme, kapardisja kishte përherë pjesën e saj. Stili i jetës së një pjese të politikanëve shqiptarë, ishte i papranueshëm për çdo kohë e çdo shoqëri. Pozat e tyre, dëshira për t’u bërë stare, hidhësia prej mistreci, rrezatimi i urrejtjes e gjer te e folura “sensacionale”, kinse me metafora (e atyre që aq keq e flasin gjuhën shqipe, sa s’dinë përdorimin e njëjësit e shumësit dhe një frazë që e fillojnë me “ju” e mbarojnë me ti).
Një pyetje bëhet kudo në Shqipëri, në Kosovë e jashtë tyre: si është e mundur një ngrefosje e tillë? Sepse sëmundja e kapardisjes së një pjese të “liderëve” është bërë e përgjithshme kudo në viset shqiptare. Njerëzit kanë të drejtë të habiten, sepse ngrefosje do të thotë verbëri, do të thotë shurdhëri, do të thotë shpërfillje e plotë për atë që po ndodh me popullin shqiptar. Mjafton të jesh disa ditë në Shqipëri, mjafton të shikosh sfilitjen e vendit, varfërinë, nervozizmin, mungesën e rendit, mungesën e dritave, mungesën e ujit, që çdo krenari e zbrazët, çdo kapardisje, të fluturojë në çast, për t’ia lënë vendin një brenge të thellë.
[…]
Mirëpo një pjesë e “liderëve”, si në Shqipëri, si në Kosovë, nuk heqin dorë nga mburrjet. Ngrehalucë të pandreqshëm, krejtësisht të pandjeshëm ndaj dramës së popullit, që i ka nxjerrë, të dashuruar pas vetes dhe pas fjalëve të tyre të papërgjegjshme, vazhdojnë të jenë si të dehur nga telefonat celularë, nga mikrofoni që iu afron çdo gazetar, nga nderimet me të cilat i presin andej këndej. Harrojnë se ai interesim e ato nderime nuk janë për ta, por për popullin martir shqiptar.
[…]
Asgjë nuk i prek shpirtrat e tyre veç smira dhe etja e pushtetit. Ato janë e vetmja gjë që e gjallëron mendjen e tyre të varfër: Jam unë që vendos e jo ti, jam unë që duhet të hipi në avion, që duhet të pyetem, që duhet të nderohem, që duhet të thirrem në gosti, që duhet të shpallem shef etj., etj.
Ndërkaq, si gjithmonë, në Ballkanin tonë heroik aq edhe servil, nuk mungojnë kurrë puthadorët, sejmenët dhe lajkatarët. Pas Rambujesë, një pjesë e mediave shqiptare, në vend të merreshin seriozisht me analizën e asaj që ndodhi, e sidomos, asaj që do të ndodhte, filluan lajkat për bëmat e njerit apo të tjetrit. Ca legjenda, ca fakte të neveritshme, imorale e të pabesa filluan të serviren si heroike.
[…]
Një pjesë e “liderëve” shqiptarë, si në Shqipëri, si në Kosovë e gjetkë, kanë nevojë të ngutëshme të qytetërohen. Ata janë shumë larg nivelit të përfaqësimit që meritonte populli shqiptar. Ky popull është i varfër e është i rreckosur, por është drama e tij e rëndë që kërkon, ashtu si çdo tragjedi, një nivel të lartë të përfaqësimit.
Mësimi numër një që, duhet të nxjerrin “liderët” shqiptarë, është se nuk ka dhe nuk mund të ketë lavdi për askënd, në qoftë se populli yt është në mjerim e në robëri. “Liderët” shqiptarë duhet të rrijnë kryeulur përpara kësaj gjëme, që ende nxin në sytë tanë. Të rrish kokëulur nuk do të thotë të rrish pa dinjitet. Përkundrazi, pa dinjitet gjykohen ata, që në një ceremoni varrimi zgërdhihen.
Populli shqiptar ka përpara ditë tepër vendimtare për fatin e tij. Në qoftë se “liderët” shqiptarë e ndiejnë se janë të paaftë të kuptojnë peshën e përgjegjësisë që kanë, ata duhet t’ua lenë vendin të tjerëve. Gjithmonë do të ketë njerëz që do ta kuptojnë më mirë këtë popull, që do të kenë më shumë dhembshuri për të, me fjalë të tjera, që do ta prijnë siç duhet.
Ismail Kadare
Paris, shkurt 1999, versioni i plotë është botuar në libërthin “Mbi krimin në Ballkan”, Onufri
- Kapardisja shqiptare - 22/11/2025
- Arrestohet ish-presidenti i Brazilit, aleat i ngushtë i Donald Trump - 22/11/2025
- Përplasjet me Trump, jep dorëheqjen kongresmenja republikane - 22/11/2025