17.5 C
Tirana
10 / 11 / 2025

“Fitor ia dedikoj PS-së!”, Brunilda Mersini pas triumfit në Vlorë: Respekt për rivalët

Fituesja e zgjedhjeve për Bashkinë e Vlorës, Brunilda Mersini, ka folur për mediat mëngjesin e kësaj të hëne, 10 nëntor, pas rezultatit përfundimtar që i dha një fitore të thellë Partisë Socialiste në këtë bashki.

“Kjo është një gjë reale. Në momentin që ka një fitore, gjithmonë ka një analizë. Por e rëndësishme është gjithmonë fitorja. Ashtu siç kam takuar çdo ditë qytetarët e Vlorës, do jem një njeri i përkushtuar dhe me një ndjeshmëri për qytetin. Unë jam një grua që vij nga rrugët e qytetit, e njoh ritmin e tij, e njoh energjinë e tij. Jam e përkushtuar ndaj njerëzve të tij dhe kështu do të vazhdoj. Emocion patjetër.”, u shpreh Mersini.

E pyetur për kujt ia dedikon fitoren, ajo u përgjigj shkurt: “Partisë Socialiste.”

Mersini shprehu gjithashtu respekt për kundërshtarët e saj në garë, Dionis Sotën dhe Gjergji Nikën, duke theksuar se “Kam respekt për dy qytetarët e mi, janë dy bashkëqytetarët e Vlorës, që nesër mund të jenë kolegë në dyert e Bashkisë. Gjergji është anëtar i këshillit bashkiak, dhe pa diskutim do të kemi takime të përditshme.”.

Në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, në të cilat Vlora regjistroi pjesëmarrjen më të ulët në shkallë vendi me vetëm 12.5% të votuesve, Brunilda Mersini siguroi një fitore të thellë me 78.88% të votave (15 mijë e 672 vota).
Kandidatët e pavarur Dionis Sota dhe Gjergji Nika morën përkatësisht 11.68% (2 mijë e 333 vota) dhe 9.88% (1 mijë e 975 vota).

Krahasuar me zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste ka shënuar një rritje prej 19%, ndërsa Partia Demokratike një tkurrje prej 13.52% në këtë bashki.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x