Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot, më 6 nëntor, seancën plenare që nis në orën 10:00.
Në rendin e ditës janë çështje me rëndësi për vijimin e sesionit parlamentar, ndërsa vëmendja do të përqendrohet te diskutimet mbi projekt-buxhetin e vitit 2026, i cili është miratuar nga ana e qeverisë.
Në orën 13:00, do të mblidhet edhe Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat. Ky komision do të shqyrtojë dhe miratojë Draft-Kalendarin e veçantë të punimeve për diskutimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2026”, duke shënuar nisjen zyrtare të procesit të detajuar parlamentar për analizën e tij.
Priten edhe raportimet e disa prej institucioneve mbi veprimtarinë në 2024-ën dhe zgjedhja e anëtarëve të Komisionit Rregullator në KQZ, që nuk u finalizuan në seancën e javës së shkuar, pasi opozita la sallën.
Pas një sërë polemikash, pritet të votohet edhe Projektligji për Barazinë Gjinore.
Seanca pritet të shoqërohet me debate mes mazhorancës dhe opozitës, sidomos për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, lidhur me shpërndarjen e fondeve për sektorët kryesorë.
Kujtojmë se paraqitja e projektbuxhetit për 2026-ën nga qeveria në Konferencën e Kryetarëve të Komisioneve dhe Grupeve Parlamentare u shoqërua me përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.
Për PD-në, drafti i buxhetit duhet të paraqitet nga qeveria së bashku me paketën fiskale sipas rregullores, duke kërkuar shtyrjen e procedurës. Por mazhoranca i rrëzoi dje, 5 nëntor, këto pretendime.
Totali i shpenzimeve parashikohet të arrijë në 886.7 miliardë lekë, me investime publike rreth 6.5% të PBB-së për projekte strategjike dhe programin e rritjes për Ballkanin Perëndimor.
- Sot seancë plenare në Kuvend, projekt-buxheti 2026 do të shqyrtohet tek “Ekonomia” - 06/11/2025
- Demokrati Zohran Mamdani zgjidhet kryebashkiak i Nju Jorkut, i pari mysliman në histori - 05/11/2025
- Progres raporti i KE, Rama ndan deklaratën e Marta Kos: Do të bëjmë gjithçka për t’u ulur si të barabartë në tryezën e BE - 04/11/2025