Vrasja e një gjyqtari në sallën e gjyqit, arrestimi i një avokati nga një prokuror në Elbasan, si dhe bojkoti i paralajmëruar i avokatëve, tregojnë se diçka nuk shkon me sistemin e ri.
Mustafa Nano thotë se sistemi i drejtësisë është ende në formim e sipër, me boshllëqe të mëdha në burime njerëzore dhe organizim.
“Reforma është pothuaj e mbyllur, por sistemi i drejtësisë është ende i pangritur dhe jo efektiv. Ka gjykata që kanë nevoje për gjyqtarë. Fjala vjen, Gjykata e Apelit ka gjysmën e gjyqtarëve të nevojshëm. Po kështu, institucioni i akuzës ka nevojë për prokurorë. Kemi gjyqtarë që mund te kenë çështje të pafund, për shqyrtimin e së cilave do duhen vite dhe kjo është arsyeja që marrja e vendimeve vonohet.
Sistemi i drejtësisë nuk ka nevojë vetëm te japë drejtësi, por edhe ta japë atë në kohën e duhur. Dhe reforma në rrethana normale këto dy gjëra duhej të synonte: të jepej drejtësi e të jepej në kohën e duhur. Mirëpo reforma jonë u bë me synim tjetër: të pastronte sistemin prej korrupsionit.
Vrasja e gjyqtarit që ishte një rast i paprecedent (nuk kishte ndodhur ndonjëherë ne historinë e Shqipërisë politike që nga viti 1912 të vritej një gjyqtar në detyrë), duhej të na kishte bërë të ndaleshim më shumë në këtë çështje, por zhurma reshti shpejt. Ngjarja tanimë është arkivuar”, tha ai për MCN.
Megjithatë, Nano theksoi se ka një përmirësim në cilësinë e gjyqtarëve, për një sërë arsyesh.
“Sistemi ka probleme sa të duash, por unë mendoj se në krahasim me çfarë ka qene, duket pak me i drejte, ne kuptimin që gjyqtarët i shoh me korrektë, ndoshta edhe ngaqë ndihen më kontrolluar nga të gjitha drejtimet, u kontrollohen të ardhurat, vendimet qe marrin, pra ka në lloj transparence.
Pastaj, të mos harrojmë që pjesa më e keqe e sistemit u bë dalje. Kjo nuk ishte arritje e vogël. Gjatë vetingut mund të ketë ndodhur në ndonjë rast që ‘me te thatin është djegur dhe i njomi’, por mund te thuhet pa frike se ka ikur pjesa me e keqe e sistemit”, tha Nano.
Në lidhje me premtimin e kryeministrit Edi Rama për ndërtimin e godinave të reja për sistemin e drejtësisë, Nano tha se ato nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me eficencën e sistemit, por më shumë me dinjitetin dhe sigurinë.
Sipas tij, më mirë do ishte që dy ministri t’ua japë gjykatave.
“Nuk mendoj se ka lidhje me eficencen e sistemit. Ndërtesat e bukura dhe pompoze kanë lidhje me dinjitetin e sistemit madje mendoj se kryeministri Rama mund ta zgjidhë para vitit 2030 këtë gjë me një mënyrë nuk e di pse nuk i shkon në mendje: le t’u japë gjykatave një a dy godina të ministrive, dhe të kalojë ministritë te ndërtesa e gjykatave. Mund ta bëjë fare kollaj këtë rokadë. Por, edhe një here them, se ndërtesat e reja që Rama premton nuk kane lidhje të drejtpërdrejtë me eficencen e sistemit”, tha ai.
- Spitali reagon zyrtarisht për Nanon: Pësoi arrest kardiorespirator. Gjendja e rëndë - 20/10/2025
- Mustafa Nano: Reforma në drejtësi nuk ka dhënë frytet e duhura. Rama do ta bëjë gjyqësorin me ndërtesë dinjitoze? Le t’i japë dy ndërtesa të ministrive - 20/10/2025
- Non grata nga SHBA dhe Britania, “dorëzohet” Dodik - 20/10/2025