Punonjësit e nëntokës në minierën e Spaçit vijojnë protestën në ditën e 12-të të tyre. Këtë të hënë (20 tetor) që prej orëve të para të mëngjesit, ata janë mbledhur në hyrjen kryesore të kompanisë, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.
Minatorët kërkojnë njohjen zyrtare të sindikatës dhe nënshkrimin e kontratës kolektive të punës, të cilat, sipas tyre, janë thelbësore për garantimin e kushteve më të mira të punës dhe të drejtave të tyre. Nga ana tjetër, kompania turke “Tete Albania”, e cila administron minierën, nuk ka dhënë ende asnjë sinjal për dialog me përfaqësuesit e punonjësve. Kjo mungesë komunikimi po shton pakënaqësinë mes minatorëve, të cilët thonë se janë të vendosur të vazhdojnë protestën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Prej gati dy javësh, minatorët janë mbledhur çdo ditë në hyrjen kryesore të kompanisë. Përfaqësues të punëtorëve bëjnë të ditur se kërkesat e tyre janë të drejta dhe të domosdoshme, pasi situata në galeritë e nëntokës është e vështirë dhe pagat nuk përputhen me rrezikun e punës që kryejnë. Protestuesit deklarojnë se nuk do të tërhiqen derisa kërkesat e tyre të merren parasysh dhe të nisin bisedimet me drejtuesit e kompanisë. Ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve shtetërore për të garantuar të drejtat e tyre sindikale dhe kushtet minimale të sigurisë në punë.
- TIA dhe Vodafone sjellin teknologjinë Airbus në Tiranë - 25/05/2026
- Shuhet Birçe Hasko, ikona e kinemasë shqiptare! Nga Dukati në skenën e madhe, karriera e jashtëzakonshme e aktorit - 23/05/2026
- TEATRI ËSHTË VENDI KU XHVISHEM NGA VETJA IME, LË JETËN TIME MËNJANË DHE JETOJ NJË TJETËR BOTË… - 17/05/2026