14.5 C
Tirana
18 / 10 / 2025

Nga Zvicra e New York në Tiranë për “çlirimtarët”: Europa na ka borxh, s’do i lëmë më të luajnë me ne!

Qytetarët e parë kanë nisur të mbërrijnë në sheshin “Skënderbej”, ku sot në orën 17:00 pritet të zhvillohet protesta “Drejtësi për Çlirimtarët”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), aktualisht të burgosur në Hagë.

Disa nga qytetarët kanë folur për mediat lidhur me arsyet se përse kanë ardhur nga Kosova, apo vende të tjera të diasporës si Zvicra apo SHBA-të, për të protestuar sot në Tiranë.

“Presim që të përkrahen fuqimisht ata që i kemi në Hagë, që sollën lirinë e Kosovës. Mendoj se atje mbahen padrejtësisht dhe ata janë forca dhe liria e popullit. Ne për atë kemi dalë këtu, do të vazhdojmë prapë. Por Evropa i dënon ata, nuk po i dënon Shqipëria. Evropianët ta dinë se shqiptarët nuk po i dënojnë, por po i dënon Evropa. Politika shqiptare i mbështet.”, tha një qytetar që kishte ardhur nga Gjilani.

Një tjetër protestues u shpreh se Evropa ka një borxh historik ndaj shqiptarëve: “Presim të na lirohen çlirimtarët, se Evropa na ka borxh neve, edhe më herët na ka bërë padrejtësi. Nuk do ta lëmë Evropën të luajë me ne më.”

“Kjo protestë i çon Evropës sa më shumë pakëz presion, që të na çlirohen çlirimtarët.”, tha një tjetër.

Nga Zvicra, ku jetojnë prej vitesh, disa pjesëmarrës thanë se kishin ardhur për pushime dhe për të qenë pjesë e protestës: “Kemi ardhur nga Zvicra, jetojmë atje, kemi ardhur këtu për pushime dhe kemi ardhur në protestë. Gjykata në Hagë është gjykatë politike, nuk është gjykatë faktike. Personat që mbahen atje në Hagë janë të pafajshëm.”

Të tjerë kritikuan mungesën e reagimit nga politika shqiptare dhe ajo kosovare: “Nuk është bërë mjaftueshëm nga asnjë politikë, as në Kosovë e as në Shqipëri. Kjo protestë është një mesazh në fakt për gjithë politikanët, si të Kosovës, ashtu edhe të Shqipërisë.”

Një qytetar që kishte ardhur sot nga Nju Jorku tha: “Ne kërkojmë drejtësi, lirinë për çlirimtarët e Kosovës. I gjithë kombi shqiptar është një dhe vetëm një, kudo që të jetë. Liri për ata burra që dhanë më të mirën e mundshme për çlirimin e Kosovës.”

Në fund një protestues tha gjithashtu: “Çlirim sa më të shpejtë për çlirimtarët dhe bashkim kombëtar sa më shpejt.”

Tirana është në pritje të protestës që do të mbahet në orën 17:00, në sheshin Skënderbej. Ngjarja, e organizuar nga komuniteti i ish-pjesëtarëve të UÇK-së, synon të bëjë thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, aktualisht të burgosur në Hagë.
Pjesëmarrës në tubimin “Drejtësi për Çlirimtarët” do të jenë edhe ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe lideri politik maqedonas, Ali Ahmeti.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x