Në një intervistë të dhënë për Corriere Della Sera, Bilal Ajarmeh, një nga 250 palestinezët e dënuar me burgim të përjetshëm dhe së fundmi i liruar në kuadër të shkëmbimit me pengjet izraelite në Gaza, rrëfen përjetimet e tij pas 22 vitesh burg.
I intervistuar përmes një videoje-thirrjeje nga shtëpia e Qadura Fares (mikut të Marwan Barghoutit, politikan dhe aktivist palestinez, aktualisht i burgosur) Bilal Ajarmeh flet për vuajtjet, torturat, humbjet familjare dhe shpresën për një të ardhme pa dhunë.
Mes emocioneve të përziera dhe plagëve ende të freskëta, ai ndan reflektime e tij mbi luftën, pendesën dhe rolin që mund të kishte Barghouti në bashkimin e popullit palestinez.
Intervista e plotë
Shtëpia është ajo e Qadura Fares, politikan palestinez dhe ish-ministër për të burgosurit në qeverinë e Abu Mazen, por mbi të gjitha miku më i ngushtë i Marwan Barghoutit, i burgosuri që njerëzit e këtyre trojeve kanë shpresuar dhe ende shpresojnë ta shohin të lirë, sepse “është i vetmi që mund të bashkojë dhe të udhëheqë lindjen e një shteti palestinez”. Farez ndërmjetëson intervistën.
“Më falni, duhet të përgjigjem, është një video-thirrje nga Egjipti,” thotë Fares.
Në anën tjetër të ekranit shfaqet një burrë me kefije mbi supe: “Jam i lirë, është gjithçka e çuditshme, por jam i lirë.” Është Bilal Ajarmeh. Arrestuar në vitin 2003, ka marrë pjesë në 17 shkëmbime zjarri kundër izraelitëve dhe në vrasjen e dy palestinezëve të dyshuar për bashkëpunim. Anëtar i Fatahut, ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ai është një nga 250 palestinezët e dënuar përjetësisht që panë të hapet dera e burgut në shkëmbim me pengjet izraelite në Gaza.
Vendodhja?
“Në një hotel në Kajro. Për momentin jemi këtu, por destinacioni ynë përfundimtar do të ndryshojë, mund të jetë Katari, ose Turqia.”
Tregon për orët e fundit:
“Të dielën e kaluar, në orën 7 të mëngjesit, arritëm në burgun Naqab (në shkretëtirën Negev, në Izrael). Të hënën, ditën e lirimit, na ndanë në dy grupe: 1 mijë e 700 shkuan në spitalin Nasser në Khan Younis, në Gaza, për kontrolle mjekësore, por ata si unë që kishin burgim të përjetshëm u dërguan drejt Egjiptit.”
Si është të jesh jashtë pas njëzet e dy vitesh?
“Është një ndjesi shumë e ndërlikuar, kam emocione të përziera. Kjo është hera e parë pas dy vitesh që shoh fytyrën time. Hera e parë që laj dhëmbët. Gjithçka jashtë është e çuditshme dhe nuk e di më kush jam. Po dal nga ferri, ku asnjë e drejtë njerëzore nuk është respektuar.”
Tregon një pjatë me fiq, mbi komodinën pranë shtratit në dhomën e hotelit. “Kam ëndërruar t’i ha për njëzet e dy vjet. Që nga fillimi i luftës në burg nuk na kanë sjellë më fruta. Në vitin 2023 peshoja 100 kilogramë, tani peshoj 69.”
E pyesim nëse është penduar për atë që ka bërë, për vrasjet, për dhunën e së kaluarës. Është një pyetje që krijon tension, ai tund kokën dhe flet në arabisht, por para se të përkthehet, përgjigjet Fares: “Kohët kanë ndryshuar. Këta burra nuk janë më ata djem që, në një periudhë historike të vështirë për këtë tokë, Intifada e dytë, u bashkuan me luftën e armatosur që këtu, për disa, dukej si mënyra e vetme për të mbrojtur vendin nga pushtimi izraelit. Po të ishte Barghouti i lirë, do t’u thoshte atyre që ende besojnë në luftën e armatosur të lënë armët.” Edhe Ajarmeh shpreson për lirimin e atij që quhet “Mandela i Palestinës”.
Cili ka qenë momenti më i keq i këtyre dy viteve të luftës?
“Në burg, torturat fizike dhe psikologjike janë shtuar. Kam humbur prindërit e mi, dhe policia izraelite hynte në qeli dhe ofendonte nënën time. E dija që nuk duhej të përgjigjesha për të mos pësuar tortura të tjera. Por ndonjëherë nuk e përmbaja dot veten dhe ata më rrihnin edhe më fort.”
Ngre bluzën për të treguar shenjat e shkopinjve dhe kamxhikëve, ende të dukshme në trupin e tij.
Kur ndodhi hera e fundit?
“Në autobus, në Egjipt, tre ditë më parë. Kishim kaluar kufirin, dhe para se të na dorëzonin te autoritetet egjiptiane, ushtarët izraelitë hynë për herë të fundit dhe na rrahën e na poshtëruan. Para se të lija burgun, më thanë: do të të marrim përsëri dhe do të të vrasim.”
A do ta shihni familjen?
“Po vijnë dy motrat e mia që jetojnë në Amerikë, mezi pres të përqafoj dikë. Kam vetëm një ëndërr: që një ditë të mund të kthehem në fshatin tim dhe të vizitoj varrin e prindërve të mi.”
- Presidenti Begaj letër Gjykatës Kushtetuese: Shpallni moskompetencën për çështjen e Veliajt! Anuloni bllokimin e procesit të zgjedhjeve në Tiranë - 15/10/2025
- Ministri amerikan i Mbrojtjes, ultimatum Rusisë: SHBA do t’ju përgjigjet siç vetëm ne dimë - 15/10/2025
- Ligji, PS heq “gjininë e tretë”/ Mazhoranca kundërshton draftin e Ministrisë së Shëndetësisë: Ka vetëm burrë dhe grua - 15/10/2025