Të shtënat e ndodhura në Gjykatën e Apelit në Tiranë këtë të hënë, 6 tetor, i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosën dy persona të tjerë.
Sipas të dhënave të deritanishme, të dy ndodhen në spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve. Fatmirësisht ata nuk raportohet të jetë në rrezik për jetën.
Të shtënat u raportuan rreth orës 16:00 të kësaj të hëne, brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit. Autori i dyshuar i ngjarjes u arrestua nga policia, e cila ndërhyri menjëherë sapo u njoftua për ngjarjen e rëndë.
Ai është Elvis Shkëmbi, rreth të 30-tave, dhe mësohet se ishte palë në një proces gjyqësor për çështje pronësie. Policia sekuestroi edhe armën e krimit.
Fillimisht u raportua se gjyqtari Kalaja kishte mbetur i plagosur, megjithatë pak kohë më pas u saktësua se ai kishte mbërritur pa shenja jete në spital.
Policia njofton se:
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 15:40, në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi E. Sh., 30 vjeç (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit A. K., dhe shtetasve R. K., 65 vjeç dhe E. K., 45 vjeç, atë e bir (pala tjetër në proces).
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit.
Në vijim do të jepet informacion më i plotë për ngjarjen.
- Festimet në rrugët e Tiranës pas fitorës së Shqipërisë në Serbi (VIDEO) - 12/10/2025
- Ekipi shqiptar zbarkon në tokën serbe, qindra forca policia presin skuadrën kuqezi në Nish/ FOTO - 10/10/2025
- Prej kohësh në konflikt për pronat, çfarë deklaronte babai i autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja dy vite më parë, Gjon Shkambi: Jemi pronarë të… - 06/10/2025